Home » PAS GATI 30 VJETËSH DREJTËSIA TROKET NË DERËT E KRIMINELËVE TË LUFTËS

PAS GATI 30 VJETËSH DREJTËSIA TROKET NË DERËT E KRIMINELËVE TË LUFTËS

nga World Ks

Shkruan : Halil Geci

21 komandantë dhe drejtues serbë akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për dëbimin e mbi 800.000 shqiptarëve nga Kosova ,më mirë vonë se kurrë, por plagët mbeten të hapura.

Prishtinë, 15 gusht 2025 – Pas dekadash pritjeje, Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës një aktakuzë historike ndaj 21 personave, në mungesë, për dëbimin me forcë të mbi 800 mijë shqiptarëve nga Kosova gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Të pandehurit – Z.P, M.C, R.M, D.A, O.S, Ž.T, G.R, B.J, S.I, B.V, S.P, N.P, K.J, L.S, B.D, R.S, D.Z, M.Gj, L.C, B.F dhe M.K.-akuzohen se, në cilësinë e komandantëve dhe drejtuesve, gjatë janarit–qershorit 1999, morën pjesë në një fushatë të organizuar të pastrimit etnik ndaj popullsisë civile shqiptare.

“Fushatë e gjerë, e koordinuar nga ushtria dhe policia e Republikës së Serbisë, zhvendosi me dhunë rreth 863.000 civilë shqiptarë,” – theksoi prokurori i rastit, Atdhe Dema.

Këto nuk janë thjesht shifra. Janë jetë të humbura, familje të ndara, fëmijë që u rritën refugjatë dhe gra që bartën plagë të pashërueshme, fizike e shpirtërore.

Sipas aktakuzës, të pandehurit ishin plotësisht të vetëdijshëm për krimet që po kryenin forcat nën komandën e tyre: dhunë seksuale, djegie të shtëpive, shkatërrim të pronës, përndjekje në baza etnike, ndalime arbitrare dhe sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve shqiptare. Qëllimi ishte i qartë ,zhvendosja me dhunë e popullsisë.

Duke u mbështetur në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria ka propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë, pasi të akuzuarit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Pyetja që lind është: pse kaq vonë? Pse drejtësia u mbyt në heshtje për gati tri dekada?

Arsyeja është e qartë: nëse strukturat e vjetra politike të Thaçit, Mustafës dhe të tjerëve do të ishin ende në pushtet, ky hap ndoshta nuk do të ndërmerrej as sot. Në vend të aktakuzave, do të kishim marrëveshje të fshehta, tolerim dhe falje të krimeve.

Heshtja për krimet deri më sot pothuajse e vrau drejtësinë.

Gjatë këtyre viteve, dëshmitarë të çmuar kanë ndërruar jetë, ndërsa prova të rëndësishme janë zhdukur. Jo sepse nuk mund të ruhej e vërteta, por sepse nuk u desh të ruhej. Ishte një zgjedhje politike – një plan i heshtur për të varrosur drejtësinë bashkë me viktimat.

Disa figura publike ,si Baton Haxhiu dhe rrethi i tij ,që e kanë jetuar nga afër kohën e luftës, flisnin hapur për “faljen” e krimeve. Sikur gjaku i derdhur të pastrohej me një deklaratë.

Ata ishin pjesë e bisedimeve të fshehta, ku diskutohej për ndarje dhe tradhti – një ekip tradhtarësh. Këtë nuk e them unë, por Ramush Haradinaj ia ka thënë vetë në sy Baton Haxhiut.

Baton Haxhiu, i përfshirë në grupin e bisedimeve të fshehta, disa herë ka deklaruar qetësisht:

“Lufta ka mbaruar, hajde të pajtohemi me Serbinë, t’ua falim krimet njëri-tjetrit dhe të mos e çojmë çështjen më tej.”

Këta njerëz, që duhej të mbronin të vërtetën, ishin shitur. Për t’u shmangur nga akuzat e mençura, u kthyen në “loparë”.

Kur e flas këtë, më kujtohet kusheriri im, baca im Zeçir Bajraktari, i cili thoshte:

„Popravi se lludë bole qe da progjesh“ – që në shqip do të thotë: “Luaje budallain për të kaluar më lehtë.”

Ekipi i çenefave të Kosovës mendonte se duke ndalur ndjekjen e krimeve serbe mbi shqiptarët do të shpëtonte. Në marrëveshje të fshehta me Serbinë, ishin marrë vesh që t’i falnin njëri-tjetrit krimet.

Ndërkohë, Serbia, përmes lojërave të saj politike, i nguli “loparët” e Kosovës në dy kungja – në kungjin e Dick Martyt dhe në mullarin e Vuçiçit. Me ndihmën e Dick Martyt, ia arriti qëllimit: na imponoi Gjykatën Speciale në Hagë.

Dhe ja rezultati: komandantët e UÇK-së u arrestuan, u akuzuan dhe u njollosën, ndërsa kriminelët serbë vazhdojnë të ecin të lirë, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Çfarë duhet t’i themi Serbisë tjetër veç “bravo”? Ku të gjajnë budallë, pse mos me ua rrasë maçorrin në hambarë?

Sot, në Hagë, akuzohen shqiptarë për “vrasje të shqiptarëve” dhe ndonjë serb pa shumë peshë, vetëm për fasadë. Ndërsa krimet e shtetit serb – masakrat, dëbimet masive, dhuna seksuale mbi gratë, vrasjet e fëmijve e të pleqve ,çë ka bërë serbija , ende as një kriminel serbë nuk janë ulur në bankën e të akuzuarve.

Drejtësia nuk vonoi rastësisht. E vonuan ata që e shitën për pazare politike. Dhe kjo është po aq krim sa ato që u kryen në fushëbetejë.

Edhe pse disa nga të akuzuarit serbë mund të jenë tashmë të vdekur, ky proces ka peshë të madhe. Është një shenjë se Kosova nuk harron. Është një mesazh për botën se Serbia nuk mund të fshihet nga përgjegjësia për krimet dhe gjenocidin që kreu.

Populli thotë: “Më mirë vonë se kurrë.”

Sot, kjo thënie nuk është thjesht një ngushëllim. Është një thirrje për drejtësi, një kujtesë për viktimat, dhe një premtim që historia nuk do të shkruhet nga kriminelët, por nga e vërteta.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment