Nga Shefqet Dibrani
Pavarësia e Kosovës ka qenë gjithmonë një aspiratë thelbësore e shqiptarëve dhe një preokupim i vazhdueshëm që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. E drejta për vetëvendosje – një nga të drejtat themelore të popujve në mbarë botën – ka qenë në themel të kërkesës së shqiptarëve për të ndërtuar institucionet e tyre politike, kulturore dhe shtetërore.
Kjo ide ka rrënjë të thella në ndarjet territoriale dhe administrative të shekullit XIX, kur interesat e Perandorisë Osmane nuk përputheshin me aspiratat kombëtare të shqiptarëve. Në këtë kontekst, Lëvizja Kombëtare Shqiptare kishte për qëllim autonominë politike dhe bashkimin e territoreve shqiptare në një të vetme njësie administrative – në një vilajet të unifikuar.
Më 10 qershor 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit artikuloi për herë të parë kërkesën për autonomi politiko-administrative, si një fazë kalimtare drejt pavarësisë kombëtare. Kosova, që atëherë, u bë jo vetëm pjesëmarrëse, por edhe promotor i të gjitha lëvizjeve kombëtare.
Nga shtypja e Mbretërisë SKS te premtimet komuniste
Pas copëtimit të territoreve shqiptare më 1912 dhe padrejtësive të Fuqive të Mëdha, Kosova mbeti nën sundimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, një periudhë e errët me shtypje sistematike dhe dhunë të pamëshirshme ndaj shqiptarëve. Megjithatë, ideja për autonomi nuk u shua.
Në këtë periudhë, Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ) përdori propagandën për të fituar mbështetjen e shqiptarëve, duke premtuar të drejta të barabarta, përdorimin e gjuhës amtare dhe madje edhe të drejtën për shkëputje e bashkim me Shqipërinë. Këto premtime, të përfshira në Konferencën e Tretë të PKJ (1924), Plenumin e Splitit (1935) dhe Deklaratën e Moskës (1936), krijuan pritshmëri të larta te shqiptarët.
Në vitin 1937 u formua Komiteti Krahinor i PKJ për Kosovë dhe Rrafshin e Dukagjinit, i cili u lidh fillimisht me Komitetin për Mal të Zi, por në Konferencën e V të PKJ-së (1940) u vendos që të lidhej drejtpërdrejt me Komitetin Qendror të Jugosllavisë. Kjo strukturë u pa si embrion i një organizimi politik të pavarur të Kosovës.
Konferenca e Bujanit – premtimi i mohuar
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, shqiptarët u angazhuan masivisht në radhët e lëvizjes antifashiste, me shpresën se pas luftës do të realizohej e drejta për vetëvendosje. Kjo shpresë u konkretizua në Konferencën e Bujanit (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944), ku 49 përfaqësues (shumica shqiptarë) kërkuan publikisht që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë pas përfundimit të luftës.
Mirëpo menjëherë pas përfundimit të luftës, përfaqësuesit shqiptarë filluan të likuidoheshin – siç ishte rasti me Xhevdet Dodën e Hajdar Dushin, kurse në muajin shkurt të vitit 1945, u vendos administrata ushtarake në Kosovë, e cila shtypi me dhunë çdo rezistencë, përfshirë edhe kryengritjen e Drenicës të udhëhequr nga Shaban Polluzha.
Konferenca e Prizrenit – akti i aneksimit
Më 8-10 korrik 1945, u mbajt Konferenca e Prizrenit, ku me një rezolutë të miratuar pa nënshkrime dhe me aklamacion, u vendos aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale. Kjo ngjarje u prezantua si vullnet i popullit, edhe pse përbërja e kuvendit ishte e manipuluar: Nga 142 pjesëmarrës, vetëm 33 ishin shqiptarë, 71 ishin serbë ose malazezë, ndërsa 38 të tjerë nuk identifikoheshin me emër e mbiemër.
Ky manipulim i njohur tashmë për shqiptarët ishte vetëm një nga shumë skenarët e politikës serbe për të imponuar vendime të njëanshme. Vendimi për aneksimin nuk ishte rezultat i ndonjë referendumi, por i presionit ushtarako-policor dhe politikës së përfaqësimit të kontrolluar.
Kushtetuta e vitit 1974 – një autonomi e kufizuar
Në Kushtetutën e re të Jugosllavisë në vitin 1974, ideja për autonomi të Kosovës u rishfaq. U krijua një strukturë që, ndonëse me disa elemente të shtetësisë, nuk ishte autonomi reale. Kosova mbeti një njësi e paqartë juridike – njëfarë entiteti që lëkundej ndërmjet republikës dhe krahinës. Pikërisht, kjo pozitë kushtetuese çoi në protestat studentore të vitit 1981, që kërkonin pavarësinë e Kosovës. Kjo kërkesë, megjithëse e shtypur me dhunë, e mbajti gjallë idenë e vetëvendosjes.
Pavarësia – rrjedhojë e një procesi të gjatë
Më 2 korrik 1990, Delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës, duke shënuar një akt historik që përputhej me aspiratat kombëtare dhe me standardet e demokracisë evro-perëndimore.
Përfundim:
Ideja për pavarësinë e Kosovës nuk është e re – ajo buron nga kërkesa për bashkim dhe vetëqeverisje që nga Lidhja e Prizrenit, ka kaluar nëpër etapa represioni dhe manipulimi politik, por kurrë nuk është shuar. Ajo ka mbijetuar përmes luftës, diplomacisë dhe lëvizjeve politike, për të marrë formë konkrete në fund të shekullit XX dhe për t’u kurorëzuar më 17 shkurt 2008 me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.
(Një version i përpunuar nga e njëjta temë, botuar në librin tim, “VIRTYTE E VISARE”, Prishtinë 2010, faqe 267-276.)
* Fotografia nga interneti.
