Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi e ka pranuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për konsultime lidhur me situatën e krijuar pas tetë dështimeve për zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit. Kurti dhe Krasniqi janë takuar sot para vazhdimit të seancës së Kuvendit.
Krasniqi tha para takimit se PDK është e gatshme të kontribuojë për dalje nga kriza. PDK dhe AAK kanë kërkuar disa herë që LVV të propozojë një kandidat tjetër për kryetar/e të Kuvendit dhe të heqë dorë nga Albulena Haxhiu, duke e konsideruar ate si figurë “jounifikuese”. Deri tani LVV ka refuzuar këto kërkesa.
Kurti të mërkurën i ka dërguar thirrje edhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku por ai e ka refuzuar këtë ftesë.
Krasniqi ka thënë mbrëmë në rrjetet sociale, se ftesën e ka pranuar duke “besuar thellësisht se Republika e Kosovës ka nevojë urgjente për zhbllokim institucional dhe për rikthimin e funksionimit të rregullt të institucionit më të lartë legjislativ, si dhe për t’i hapur rrugë afateve kushtetuese për themelimin e Qeverisë”.
Krasniqi tha se “e inkurajon Kurtin që të reflektojë me përgjegjësi mbi situatën aktuale dhe të shfaqë vullnet të sinqertë për të mundësuar formimin e institucioneve të reja, në mënyrë që Kosova të ketë sa më parë një Kuvend dhe një qeveri legjitime e funksionale”.
E se cilat do të jenë rezultatet e takimit do të shihet sot në Kuvend.