Home » Shkarkimi i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, reagon Zyra e BE-së: Pengon reformimin e KPK-së dhe minon përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së

Shkarkimi i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, reagon Zyra e BE-së: Pengon reformimin e KPK-së dhe minon përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së

nga World Ks

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka reaguar pas shkarkimit të u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Në reagimin e saj, Zyra e BE-së ka thënë se shkarkimi i Kryeprokurorit të Shtetit pengon reformat e nevojshme në Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe minon përparimin e Kosovës në rrugën e saj për në BE.

“Shkarkimi i sotëm i Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës pengon reformimin e vazhdueshëm dhe të domosdoshëm të KPK-së dhe shpërfill parimet e sundimit të ligjit dhe detyrën ndaj qytetarëve”- thuhet në reagimin e Zyrës së BE-së.

Gjithashtu, sipas Zyrës së BE-së, shkarkimi i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit minon përparimin e Kosovës në rrugën e saj për në Bashkimin Europian.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shkarkuar të enjten, më 20.11.2025, nga detyra ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendin.

Anëtarët e Këshillit kanë vendosur që ushtrues detyre i Kryeprokurorit të caktohet prokurori Agron Çalaj.

Anëtarët që votuan për shkarkimin e Kelmendit janë: Ardijan Hajdaraj, Jehona Grantolli, Jetish Maloku, Arjana Shajkovci dhe Milot Krasniqi.

Kurse, Arian Gashi, Visar Krasniqi e më pas edhe Besim Kelmendi dhe anëtari Dardan Vuniqi lëshuan mbledhjen e KPK-së, duke mos marrë pjesë në votim.

Vendimi i KPK-së për shkarkimin e Kelmendi po konsiderohet i paligjshëm nga anëtarët të KPK-së të cilët nuk votuan për shkarkimin e tij.

Gjatë një konference për media të mbajtur të enjten anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, tha se në mungesë të kuorumit, veprimi i marrë nga KPK-ja për shkarkimin e Besim Kelmendit është veprim i paligjshëm dhe i pavlefshëm.

“Pesë anëtarë sot kanë tentuar të marrin vendim pa kuorum. Votimi me 5 anëtarë nuk përbën mbledhje të konstituar, nuk ka efekt juridik” – tha Krasniqi gjatë konferencës për media.

Sipas Krasniqit, çdo vendim i marrë në mungesë të kuorumit nuk prodhon efekt juridik.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment