Më në fund reagon fuqishëm edhe Prof. Arsim Bajrami, njëri ndër hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke iu bashkuar shqetësimeve të ngritura nga Prof. Kadri Kryeziu, i cili prej kohësh po ngre alarmin për rrezikimin e identitetit shtetëror të Kosovës.
> “Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e përcakton vendin si shoqëri shumetnike, të përbërë nga shqiptarët si shumicë dhe komunitetet tjera jo shumicë. Kjo shoqëri qeveriset në mënyrë demokratike, mbi bazën e sundimit të ligjit dhe procedurave të parashikuara kushtetuese.
Është me rëndësi të theksohet se Kosova nuk është shtet shumetnik në kuptimin që të gjitha komunitetet do të kishin të drejta shtetformuese, por është një shtet qytetar me shoqëri shumetnike, ku komunitetet gëzojnë të drejta kushtetuese të garantuara. Ky koncept siguron pjesëmarrje të theksuar të komuniteteve në jetën publike dhe vendimmarrje, duke u reflektuar në përfaqësimin e tyre në institucionet e shtetit.
Kushtetuta ka bërë dallimin e qartë ndërmjet shqiptarëve si komunitet shumicë dhe komuniteteve të tjera jo shumicë. Megjithëse komunitetet jo shumicë gëzojnë të drejta të zgjeruara përfaqësimi dhe mekanizma mbrojtës, ato nuk disponojnë instrumente bllokuese të funksionimit kushtetues të shtetit, përveç rasteve të caktuara me interes vital, ku aplikohet parimi i shumicës së dyfishtë. Në këtë mënyrë është shmangur modeli i shteteve multietnike me mekanizma të tepruar bllokues, siç është rasti i Bosnjës.
Kjo qasje është rezultat i procesit të negociatave të udhëhequra nga Presidenti Martti Ahtisaari, ku Kosova arriti të sigurojë një balancë mes afirmimit të karakterit qytetar të shtetit dhe respektimit të të drejtave të komuniteteve, pa lejuar krijimin e pengesave kushtetuese që do të rrezikonin funksionalitetin e shtetit.”