Shkruan : Linda Shaqiri
Medvegja nuk është thjesht një vend në hartë.
Ajo është plagë dhe krenari, një gur themeli i identitetit shqiptar në trojet ku historia na ka provuar deri në kufijtë e durimit.
Çdo vit, manifestimi kulturor tradicional organizuar nga Shoqata Humanitare Medvegja me seli në Zvicër SHHM ishte frymëmarrja jonë e përbashkët.
Ishte dita kur gjuha, kënga dhe vallja shqiptare nuk kishin frikë nga heshtja, kur mërgata kthehej jo vetëm për të parë familjen, por për të prekur rrënjët që i mbajnë gjallë.
Këtë vit, kjo dritë u shua me një vendim të ftohtë dhe të padrejtë. Autoritetet lokale nuk e lejuan. Arsye? Zyrtarisht asgjë bindëse.
Por ne e dimë: kjo nuk është rastësi, kjo është vazhdim i një politike të heshtur që synon të fshijë gjurmët tona kulturore.
Ky vendim i marr nuk është vetëm një ndalim aktiviteti, është një mesazh i qartë: “Harroni kush jeni”.
Por ata harrojnë se ne nuk harrojmë.
Harrojnë se kujtesa e një populli nuk ndalet me një leje të mohuar. Harrojnë se çdo pengesë vetëm e forcon vendosmërinë tonë.
Për mërgimtarët që lanë punën dhe shtëpinë në Zvicër, Gjermani apo kudo, për të ardhur e përqafuar tokën e tyre, ky vendim ishte shuplakë. Për të rinjtë që prisnin të visheshin me kostumin e trashëguar nga gjyshja, ishte një zhgënjim i hidhur. Për pleqtë që mbanin lot në sy teksa dëgjonin këngët e fëmijërisë, ishte një plagë e re mbi plagët e vjetra.
Por le ta dinë: kultura nuk ndalet. Vallja do të kërcejë prapë, kënga do të këndohet edhe më fort, e gjuha do të dëgjohet në çdo shesh, edhe nëse duhet të mbahet nën qiell të hapur, pa skenë e pa leje. Sepse kjo nuk është thjesht festë,
është betim.
Betim se Medvegja do të jetojë shqiptare, për sa kohë ka njerëz që e duan dhe e mbrojnë.
Teksti nga Linda Shaqiri, poete dhe gazetare.