Home » Iliri Pireva hiqet nga puna vetëm pse kerkoj respektimin e ligjit të punës

Iliri Pireva hiqet nga puna vetëm pse kerkoj respektimin e ligjit të punës

nga World Ks

Shumë prej jush tashmë e dini që nuk jam më pjesë e Klan Kosovës. Disa më keni pyetur në heshtje, e disa me zë: pse? Përgjigjja është e thjeshtë – kërkova diçka “radikale”: respektimin e një të drejtë themelore, respektimin e Ligjit të Punës.

Për 14 vjet si punëtore në këtë televizion, asnjëherë nuk janë respektuar pushimet për festat zyrtare, një shkelje që ka ndodhur vazhdimisht por që është toleruar. Megjithatë këtë herë, diçka ndryshoi. Në një platformë të komunikimit të brendshëm të stafit, na u tha hapur se 25 dhjetori si ditë pushimi i takon vetëm një grupi të caktuar. Dhe më ironikja ishte se kjo u shkrua në një redaksi që, çdo ditë, raporton ndaj padrejtësive dhe shkeljeve të të drejtave. Ky ishte momenti që nuk mund të kalohej më pa reagim, jo vetëm sepse ishte e padrejtë, por sepse u tha publikisht, si fakt.

Desku informativ i televizionit nisi një peticion për respektimin e festave zyrtare, i cili u nënshkrua nga mbi 100 punonjës. Por, siç duket, nga frika e ndëshkimit, askush nuk e mori përsipër ta dorëzonte. E bëra unë, me emrin dhe përgjegjësinë time, duke qenë e vetëdijshme për pasojat.

Që nga ai moment, u vu në lëvizje një mekanizëm trysnie dhe përndjekjeje ndaj meje. Përkundër faktit që vetëm pak muaj më parë isha shpallur “Gazetare e Muajit” dhe realizoja më shumë kronika se kushdo tjetër në redaksi, u bë gjithçka për të më shtyrë jashtë. Madje nuk u mor parasysh as fakti që për vite me radhë kisha punuar me orar të tejzgjatur dhe në ditë vikendi, pa asnjë kompensim. E në vend të vlerësimit, u përballa me shantazh, përpjekje për diskreditim dhe akuza që nuk qëndronin.

Në mungesë të ndonjë shkeljeje reale, u përdor si pretekst një veprim teknik i parëndësishëm – një devijim procedural që nuk ndikoi aspak në përmbajtjen apo cilësinë e punës sime atë ditë. Të gjitha detyrat, përfshirë kronikat dhe prezantimin e lajmeve, u realizuan me profesionalizëm të plotë dhe pa asnjë vërejtje nga menaxhmenti për aspektin përmbajtësor apo organizativ. Ky devijim ishte rezultat i burokracive të tepërta që ishin vendosur në mënyrë artificiale nga vetë menaxhmenti, pa asnjë funksion real në rrjedhën e punës.

Megjithatë, kjo u përdor si bazë për një masë ndëshkuese në shpërputhje të plotë me rrethanat duke e bërë të qartë që motivi nuk ishte shkelja, por një hakmarrje ndaj iniciativës që kërkonte zbatimin e një të drejte të ligjshme dhe të pamohueshme. Thjesht, qëllimi ishte të justifikohej një vendim veçse i paravendosur.

Pavarësisht kësaj përvoje, nuk jam thyer. Nuk kam kërkuar asnjëherë trajtim të privilegjuar – vetëm zbatim të ligjit. Nuk isha thjesht objekt sulmi, u cënua dinjiteti im si gazetare dhe si njeri.

Sot, e vazhdoj këtë betejë në rrugë ligjore – në gjykatë dhe në institucionet përkatëse, sepse besoj se askush nuk duhet të ndëshkohet për një kërkesë të drejtë. Kjo nuk është vetëm beteja ime. Është betejë e çdo punonjësi që kërkon të trajtohet me dinjitet dhe drejtësi.

Falënderoj nga zemra të gjithë ata që treguan solidaritet, veçanërisht kolegët që dëshmuan integritet të lartë në kushte frike dhe presioni.

Për 14 vjet kam dhënë gjithçka për t’i dhënë zë të tjerëve. Tani, do të përdor zërin tim për të kërkuar drejtësi për veten time, pa asnjë pendesë. Besoj thellësisht se vetëm kështu ndërtohet një vend më i drejtë për të gjithë – ku gazetari, punonjësi e çdo njeri trajtohet me drejtësi, barazi e dinjitet.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment