Home » Fjala përfundimtare e Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë:

Fjala përfundimtare e Rexhep Selimit në Gjykatën Speciale në Hagë:

nga World Ks

‘’Koha se kur do të kthehem në Kosovë tash e tutje varet nga vendimi juaj, por Prokuroria duhet ta kishte kuptuar se kurdo që të kthehem, unë do të kthehem në Kosovën e lirë. Në Kosovën për të cilën jam krenar që i kam dalë zot në kohën më të duhur dhe për lirinë e së cilës kam qenë dhe mbetem i gatshëm ta jap edhe jetën, sa herë që do të kërkohej nga unë’’.

Fjala e plotë:

I nderuar Trup Gjykues,

Të nderuar bashkëqytetarë që na përcillni në sallë dhe nga shtëpitë tuaja!

Është hera e tretë dhe shpresoj të jetë hera e fundit që marr fjalën në këtë sallë.

Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga fillimi i këtij procesi gjyqësor.

Këto vite nuk kanë qenë të lehta për ne, as të parëndësishme për historinë e vendit tonë.

Megjithatë, le të shërbejë gjithë kjo si një mundësi për drejtësi.

Pas gjithë këtyre viteve, ka edhe një element pozitiv: shpresoj që Trupi Gjykues ta ketë pasur kohën e mjaftueshme për të kuptuar se lufta jonë ishte e drejtë dhe se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë.

Në fjalën time në këtë sallë në prill të vitit 2023, kur ky proces sapo kishte filluar, thashë se po përballesha me një aktakuzë të pabazuar. Sot, pas gjithë këtij rrugëtimi, rrjedha e procesit më ka dhënë të drejtë. Akuzat ndaj nesh janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta.

Unë nuk jam ngritur sot për ta mbrojtur veten time. Këtë e bëjnë më së miri avokatët e mi. Nuk jam këtu për t’ju mësuar drejtësinë, sepse ajo është në duart tuaja; jam këtu për t’ju kërkuar ta ushtroni atë.

Edhe pse kanë kaluar gati tre vite nga fillimi i këtij procesi, Prokuroria ka vazhduar të mbështetet në pretendime që nuk kanë bazë në të vërtetën dhe në një përpjekje të vazhdueshme për të njollosur një luftë që, në thelb, ishte çlirimtare.

Megjithëse Prokuroria, që në fillim të paraqitjes së fjalës përfundimtare, deklaroi se nuk kërkon dënimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjatë gjithë kohës që pati në dispozicion, shënjestra e saj kryesore ishte pikërisht Shtabi i Përgjithshëm, Ushtria Çlirimtare e Kosovës në tërësi dhe, në veçanti, qëllimi i saj themelor: Pavarësia e Kosovës.

Madje, krijohej përshtypja sikur vetë pavarësia po trajtohej si “qëllim i përbashkët kriminal”.

Në përpjekje për ta ngarkuar me përgjegjësi Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, Prokuroria mbajti qëndrime akuzuese si: “SHP kërkonte pavarësinë”, apo se “SHP publikisht deklaroi se nuk do ta mbështeste autonominë”.

Është e vështirë të kuptohet kundër kujt realisht është ngritur kjo aktakuzë: kundër nesh për veprime konkrete, apo kundër nesh sepse luftuam për pavarësinë e Kosovës? Kjo mbetet për t’u vlerësuar nga Trupi Gjykues.

Po aq problematike është përpjekja e Prokurorisë për ta ndarë shoqërinë e Kosovës në dy kampe: në ata që ishin për pavarësi dhe në ata që ishin për autonomi, sikur të donte me çdo kusht të krijonte përçarje mesqytetarëve të Kosovës.

Për ta ilustruar këtë, po parafrazoj atë që Prokuroria deklaroi në paraqitjen e provave javën e kaluar: “SHP kërkonte pavarësinë e Kosovës. Partitë politike që mbështesnin autonominë konsideroheshin tradhtare.”

Në Kosovë nuk ka pasur asnjë parti politike shqiptare që ishte kundër pavarësisë dhe, rrjedhimisht, asnjë që mbështeste autonomi nën Serbi. Të gjitha partitë politike shqiptare ishin për pavarësinë, ashtu siç ishte edhe qëllimi i UÇK-së.

Ta paraqesësh mbështetjen për pavarësinë si kërkesëradikale dhe autonominë si moderne, është një sulm jo vetëm ndaj historisë së Kosovës, por edhe ndaj të ardhmes së saj.

Sikur Prokuroria përpiqet të na ndajë ne shqiptarëvemes veti dhe ta barazojë UÇK-në me krimet e Serbisë. Askush nuk mund ta bëjë as njërën, as tjetrën.

Lufta çlirimtare nuk mund të barazohet me shtetin vrasës të Serbisë. Ta barazosh rezistencën e një populli të shtypur me një “plan kriminal” do të thotë të vendosësh në të njëjtin nivel rezistencën e të shtypurit me projektin e shtypësit.

Ky barazim nuk është vetëm i pasaktë, por thellësisht i padrejtë.

Të përpiqesh të ndërhysh me qellim në ndryshimin e fakteve historike përmes akuzave me pretendime te shtrëmbuara, është thjeshtë të përpiqesh ta rishkruash historinë. E, historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet, aq më tepër në një sallë gjyqi. Historinë e Kosovës e kanë shkruar me çmimin e sakrificës qytetarët e saj, luftëtarët e Lirisë dhe dëshmorët e atdheut.

Kur Serbia dhe Millosheviqi vrisnin moshatarët e mi, helmonin nxënës e studentë, i largonin prindërit tanë nga puna, mbyllnin shkolla e spitale, na ndiqnin për të na vrarë dhe zbatonin spastrimin etnik e gjenocidin, çfarë duhej të bënim ne? Të mos reagonim?

Serbia nuk e fshehu kurrë qëllimin e saj shfarosës.

Në këtë sallë gjyqi dëgjuam dëshminë e Gjeneralit Clark i cili, gjatë një takimi që kishte pasur me Kasapin e Ballkanit, ai ia kishte deklaruar hapur qëllimet e tij për shqiptarët. Ne dhe gjithë opinioni që e përcillte atë dëshmi, dëgjuam Gjeneralin i NATO-s teksa tha: “Millosheviqi më tha se e dimë se si te sillemi me shqiptarët, duhet vrarë të gjithë!”

Edhe ne e dinim këtë sepse Serbia nuk e fshihte qëllimin e saj ndaj shqiptarëve.

Prandaj pyes sërish: çfarë duhej të bënim? Të prisnim radhën për t’u vrarë apo të iknim nga shtëpitë tona? Asnjërën. Duhej të rezistonim.

Prandaj unë besoja se Kosova kishte nevojë për vetëmbrojtje. Kishte nevojë për njerëz të gatshëm ta jepnin jetën për vendin e tyre. Kishte nevojë për Adem Jasharin dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj iu bashkova Adem Jasharit.

UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira, por nga nevoja.

Ishte reagim ndaj dhunës sistematike dhe mohimit të dinjitetit. Nuk ishte aventurë. Ishte mbijetesë.

Te nderuar,

Unë isha pjesë e një ushtrie vullnetare, e përbërë nga civilë, mësues, studentë, bujq, punëtorë, prindër. Njerëz që u detyruan të marrin armët sepse nuk kishin rrugëtjetër.

Në një pjesë të parashtrimeve të saj, Prokuroria, në mënyrë të çuditshme dhe në formë akuze, më cilëson si një person të afërt me Adem Jasharin dhe si organizator që gëzonte respekt.

Nuk është e qartë nëse kjo është menduar si akuzë apo si vlerësim.

Për mua, të qenit bashkëluftëtar i Adem Jasharit është nderi më i madh që mund t’i bëhet një njeriu në Kosovë. Po ashtu, e konsideroj nder edhe cilësimin si një nga themeluesit kryesorë të UÇK-së.

Nëse këto cilësime shndërrohen në akuza, atëherë problemi nuk qëndron tek unë, por tek ata që i trajtojnë nderin dhe përgjegjësinë historike si faj.

Po, kam bartur armë. Armët për ne ishin mbijetesë. Shumë nga bashkëluftëtarët e mi kanë vdekur duke i siguruar ato.

Ne kërkuam ndihmë edhe nga vendet mike, përfshirë SHBA-në, gjë që është trajtuar edhe në këtë sallë.

UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. Nuk kishte plane për të sulmuar civilë apo kundërshtarë politikë. Nuk ishte parti politike. Ishte ushtri çlirimtare.

Madje, edhe nëse lufta në Kosove nuk do të ndalej në Qershor të 99-tës dhe do të vazhdonte deri në ditët e sotme, unë ende do të isha ushtar i atdheut tim, kuptohet, nëse nuk do të isha vrarë deri më tani, për çka gjasat ishin shume te mëdha.

Jam i bindur se bëmë gjënë e duhur. Edhe sot do ta bëja të njëjtën gjë. Liria, paqja dhe demokracia arrihen duke u përballur me agresionin. Prandaj na mbështeti NATO. Prandaj na mbështetën vendet tuaja.

Prokuroria, në dosjen e saj përfundimtare, kërkoi dënime jashtëzakonisht të rënda, aq të gjata saqë, në thelb, synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë.

Koha se kur do të kthehemi në Kosovë tani varet nga vendimi juaj. Por Prokuroria duhet ta kuptojë se, kurdo që të kthehem, unë do të kthehem në Kosovën e lirë – në Kosovën për të cilën jam krenar që i kemi dalë zot në kohën e duhur dhe për lirinë e së cilës kam qenë, dhe mbetem, i gatshëm të jap edhe jetën time, sa herë që do të kërkohej nga unë.

Me respekt për secilin prej jush, besoj se po të ishin vendet tuaja në rrethana të njëjta me ato që ka përjetuar Kosova, do të vepronit njësoj.

Jam i bindur se edhe ju do të luftonit për njerëzit dhe vendin tuaj, ashtu siç kanë bërë paraardhësit tuaj përpara se vendet tuaja të bëheshin të lira dhe demokratike.

Gjatë luftës ndodhin shumë gjëra: ka kaos, frikë, veprime individuale dhe dhimbje të akumuluar nga vite të tëra shtypjeje. Lufta gjithmonë lë pasoja dhe ka viktimat e saj. Pikërisht këto viktima kanë nevojë për drejtësi të mbështetur mbi të vërtetën. Sepse drejtësia që nuk mbështetet në të vërtetën i lëndon viktimat për herë të dytë dhe e shkatërron vetë qëllimin e saj.

Pas gjithë asaj që dëgjuam nga palët gjatë këtyre viteve, kërkesa ime është e thjeshtë: që vendimi të mbështetet vetëm në atë që është provuar, jo në atë që është sugjeruar; në fakte, jo në hamendje; në ligj, jo në përshtypje.

Jam besimplotë se vetëm drejtësia do të na kthejë në atdhe ne që jemi këtu të akuzuar.

Në fund, dëshiroj t’i falënderoj ekipet tona të mbrojtjes dhe, në veçanti, ekipin tim të udhëhequr nga Geoffrey Roberts, për angazhimin profesional në mbrojtjen time, në mbrojtje të së drejtës dhe, mbi të gjitha, në mbrojtje të luftës sonë të drejtë.

Por, mbi të gjitha, falënderoj bashkëqytetarët tanë që besojnë në pafajësinë tonë. Mbështetja e tyre ka bërë që prangat që më kanë rënduar të mos i ndiej si barrë, veçanërisht tani kur ato pranga nuk e rëndojnë më Kosovën, ashtu siç e rënduan për gjithë kohën sa ishte nën pushtimin e egër të Serbisë.

Thuhet se njerëzit që bëjnë diçka të drejtë për atdheun e tyre janë njerëz me fat. Duket se unë jam njëri prej tyre.

Faleminderit.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment