Sot me , 20 nëntor 2026
Komuna e Obiliqit, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës dhe Institutin e Pylltarisë së Kosovës, ka realizuar aktivitetin e mbjelljes së fidanëve në kuadër të projektit për gjelbërimin dhe përmirësimin e hapësirave të institucioneve edukativo-arsimore në territorin e komunës.
Ky aktivitet, i cili parasheh mbjelljen e gjithsej 3,000 fidanëve, përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi më të gjelbër, më të pastër dhe më të shëndetshëm për nxënësit, mësimdhënësit dhe gjithë komunitetin shkollor.
Përmes këtij projekti synohet jo vetëm përmirësimi i pamjes së hapësirave shkollore, por edhe ngritja e vetëdijes për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, kujdesit ndaj natyrës dhe kultivimit të përgjegjësisë qytetare te gjeneratat e reja.
Komuna e Obiliqit mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm, përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore dhe krijimin e një mjedisi më të mirë për të gjithë qytetarët.
Investimi në gjelbërim është investim në shëndetin, mirëqenien dhe të ardhmen e gjeneratave të reja.





