Home » Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, priti në takim delegacionin e organizatës humanitare Sharjah Charity International nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, priti në takim delegacionin e organizatës humanitare Sharjah Charity International nga Emiratet e Bashkuara Arabe

nga World Ks

Kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Halil Thaçi, priti në takim delegacionin e organizatës humanitare Sharjah Charity International nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të përfaqësuar nga z. Saeed Al-Suwaidi, anëtar i Bordit Drejtues, dhe z. Ali Al-Rashdi, drejtor i Projekteve dhe Ndihmave të Jashtme.

Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës, z. Berat Gashi, shefi i kabinetit, z. Bashkim Gashi, drejtoresha e Shëndetësisë, znj. Albertina Dedinca, dhe drejtori i Infrastrukturës, z. Naim Shalaku. I pranishëm ishte gjithashtu z. Sylejman Rrahmani, drejtor i shoqatës “Shqiptarët për Shqiptarët”, e cila mundësoi realizimin e këtij takimi. Me këtë rast, u shpreh mirënjohje e veçantë për shoqatën dhe drejtorin e saj, për ndërmjetësimin dhe angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të qytetarëve në nevojë.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe të investimeve në projekte me rëndësi për qytetarët e Obiliqit, me theks të veçantë në ndërtimin e Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe renovimin e Shkollës Teknike të Obiliqit, si dhe në projekte të tjera në shërbim të komunitetit.

Pas takimit, kryetari i Komunës, Halil Thaçi, shoqëroi delegacionin në vizita në terren, fillimisht në objektin e ri të QKMF-së, ku po zhvillohen punimet e ndërtimit, e më pas në Shkollën Teknike të Obiliqit. Gjatë këtyre vizitave, delegacioni pati mundësinë të njihej nga afër me gjendjen aktuale dhe nevojat për investime në këto dy institucione.

Në kuadër të kësaj vizite, u shpërndanë 200 metra kub dru zjarri për familjet në nevojë në Komunën e Obiliqit, donacion i organizatës Sharjah Charity International, me qëllim mbështetjen e këtyre familjeve gjatë sezonit të dimrit.

Kryetari i Komunës, Halil Thaçi, falënderoi përfaqësuesit e organizatës Sharjah Charity International për kontributin humanitar dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve të tilla në realizimin e projekteve në dobi të qytetarëve të Obiliqit.

Zyra për Informim, Obiliq.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment