Mbi kolltukët e vjetër, ku koha ka ngrirë,
Në zyra të mbyllura, nën hijen e pushtetit,
Fodullët rrinin të qetë, me ndërgjegjen e mpirë,
Duke shitur jetën e tjetrit për pazare të shtetit.
Me vula partish u ngritën në piedestal,
Të paprekshëm nga ligji, të mbrojtur nga miqtë,
Për ta jeta e gruas qe një numër banal,
Një letër për kusuritje, zë që humbi në pritje.
Arlinda, në prokurori e polici, kërkoi të dëgjohej,
Dërgoi fjalë alarmi, kërkoi shpëtim; por nga kush?!
E zëri i saj nëpër zyra humbte nën kërcënim,
Një klithmë e mbytur me indiferencë dhe në harrim.
Zinxhiri komandues qëndronte i ndryshkur,
Hallkë pas hallke, i rëndë si mallkim;
Dhe zëri që kërkonte një strehë për të jetuar,
Mbeti pa përgjigje, pa mbrojtje e pa shpëtim.
E re ishte Arlinda, me jetën përpara,
Me shpresën që ende kërkonte agim;
Por gjaku i saj mbi heshtjen u derdh,
Dhe dhimbja u bë akuzë dhe ndëshkim.
Sot qeveria e re ngre gishtin e akuzës,
Drejt posteve të vjetra, drejt hijes së pushtetit;
Por drejtësia s’mund të mbetet peng i fjalës,
As viktima të bëhet monedhë e tregut politik.
Po na vritet liria, po vyshket njerëzia,
Kur jeta e njeriut bëhet pazar nga opozita;
Kur dhimbja shfrytëzohet për pushtet,
E vërteta mbetet si zorra në zjarr që pëlcet.
Nuk duam arsyetime, as luftë për mandate,
As premtime të bukura që treten si eter;
Duam mbrojtje për gratë, dhe drejtësi që vepron,
Një ligj për të gjithë njësoj, pa dallim e me nder.
Kur polici e prokurori humbin pavarësinë,
Kur pushteti bëhet mburojë e gabimeve,@
Atëherë qytetari e humb besimin,
Kur drejtësia mbytet mes mashtrimeve.
Nuk ka post që qëndron mbi ligjin,
As mik që mund ta blejë të vërtetën;
Kush ka dështuar, le të japë llogari,
Heshtja nuk guxon të rëndon mbi viktimën.
Ata që prej vitesh në kolltuqe janë ulur,
Me pazare të vjetra e lidhje të fshehta,
Sot presin që shteti të rrëzohet përsëri,
Që të kthehen në skenë me maskat e vjetra.
Por zinxhiri i vjetër s’duhet të sundojë,
As hallka e krimit të gjejë strehë në pushtetin e ri;
Drejtësia duhet të veprojë…
Askush i paprekshëm përballë ligjit e shtetit.
Arlinda, emri yt s’duhet të shuhet,
As dhimbja jote të tretet në harresë;
Le të bëhet vdekja jote një kambanë që zgjon,
Një thirrje për drejtësi, një dritë në errësirë.
Sot duhet këputur zinxhiri i ndryshkur,
Që fajtorët i mbajti të fshehur nën hije;
Asnjë pushtet s’është mbi jetën e njeriut,
Heshtja thërret për drejtësi.
Sepse sëpata që pret rrënjët e shpresës,
Synon të rrëzojë çdo agim që po lind;
Por shteti nuk ndërtohet me premtime,
Drejtësia duhet për secilin të triumfojë.
Arlinda, kjo dhimbje s’duhet të jetë e kotë,
As emri yt të mbetet veç lot e kujtim;
Le të këputet ky zinxhir që na mban në errësirë,
Dhe shteti të rilindë me drejtësi e njerëzim.
