KUJTESA SI AKT REZISTENCE
(Poezia: Elegji ditës)
Ibrahim Kadriu
ELEGJI DITËS
Do të kalojnë mbas kësaj dite edhe shumë ditë tjera
Në stihinë e t’cilave çdokujt do t’i mbetej diçka lakmuese,
Por kjo ditë, të cilën tutje do ta gëlltisë humnera…
Kurrë nuk do të mundet të jetë harruese!
Do të vijnë mbas kësaj e kjo do t’ikë nga vjetërsia,
Tue mbajtë në shpinë thesin me mija rrëfime…
Të cilat ma vonë do t’i bluejë dhe ushqejë historia
Si ngjarje tlë randësishme të kësaj dite të shkrime.
Do to vijnë mbas kësaj, por kjo nuk do të përsëritet,
Do të mbetet e strukun me rrëfimet me t’cilat u pikturue,
Ndërsa në ditët e ardhshme, n’fjalë t’botës, do të rritet;
Do të marrë lloj-lloj gjykimesh, të cilat kanë m’e amshue.
Do të vijnë mbas kësaj edhe shumë ditë, javë, muej…
Që ndërkohë këtë bisedë tonë do ta bajnë të vjetër…
Megjithatë këto vargje, që tash në vetmi po i shkruej –
Do të mbesin pjellë e ditës së sotme, e jo e ditës tjetër.
Qershor, 1964
Poezia “Elegji ditës” e Ibrahim Kadriut, është shkruar në qershorin e vitit 1964, dhe ka lindur si dëshmitare okulare, në një moment të errët historik, kur dhuna shtetërore përplasej brutalisht mbi trupin kolektiv shqiptar. Arrestimet e intelektualëve dhe veprimtarëve, ndër ta edhe Adem Demaçi, Rexhep Elmazi, Beqir Musliu etj., shndërrohen në sfondin real që e udhëheq këtë poezi. Por, Ibrahim Kadriu nuk ka shkruar vetëm për një kronikë të zezë. Ai ka shkruar Një elegji – Një vajtim për një ditë që nuk ishte thjesht kalim kohe, as nuk ishte vetëm një plagë e ndërgjegjes. Rasti ndikonte në formimin e tij intelektual dhe ndikonte në sedrën e tij njerëzore.
Për të qenë më i saktë, po sjell këtu shënimin e autorit, të lënë në fund të poezisë, te botimi i dytë: “Këtë poezi e shkrova në kohën kur, brenda natës, policia mblodhi shumë shqiptarë dhe i futi në burg, në mesin e të cilëve ishte edhe Adem Demaçi, Rexhep Elmazi, Beqir Musliu (nxënës i ekonomisë, me të cilin shoqëroheshim) e shumë të tjerë”, (i.k.).
Poezia “Elegji ditës”, u botua brenda muajit qershor në gazetën “Rilindja”; domethënë më 1964. Pastaj poezia u përfshi edhe në librin e tij të parë me poezi të botuar më 1969. Po ashtu, kjo poezi u botua edhe në antologjinë me poazi të autorëve nga Kosova, “E di nji fjalë prej guri”, në Tiranë gjatë vitit1972.
Të kthehemi te poezia: E cila që në vargun e parë, e vendos kohën në një dimension të dyfishtë: Si rrjedhë e zakonshme e atyre ditëve dhe si përjashtim i kësaj dite nga ajo rrjedhë. “Do të kalojnë mbas kësaj dite edhe shumë ditë tjera”. Ky varg me të cilin fillon poezia, që është pohim i asaj kohe, përveç si dëshmitare, ajo krijonte një horizont normaliteti, me ditë të pa sigurta, prandaj këtë element menjëherë poeti e përmbyste tragjikisht me vargun tjetër: Kjo ditë, shprehej ai në atë kohë:“kurrë nuk do të mundet të jetë harruese”. Pra, siç shihet, kishëm një ditë që nuk mund të harronte dhe as të harrohej, sidomos nga ai antropomorfizim që e kthente kohën në dëshmitare të krimit.
Në këtë poezi, shihet se dita nuk është njësi kronologjike, por çartë, shndërrohet në një bartëse e kujtesës kolektive. Ajo duhej të “mbante në shpinë thesin me mijëra rrëfime”, një metaforë e fuqishme që sugjeronte përgjegjësinë e historisë dhe të intelektualit, që të ishte dëshmitare, sidomos e atyre çasteve kur ndodhnin traumat. Këtu Ibrahim Kadriu, ka arritur të ndërtojë një lidhje të drejtpërdrejtë midis përjetimit individual dhe mbamendjes historike, sepse shkruan ai: “ma vonë do t’i bluejë dhe ushqejë historia”. Historia në këtë varg nuk paraqitet si nivel neutral, por shndërrohet në një mekanizëm që përtyp dhe riciklon dhimbjet, që mbjellë frikën dhe krijonte panikun, duke e kthyer atë motiv në narrativë kolektive.
Një nga dimensionet më interesante të poezisë është raporti mes përkohshmërisë dhe përjetësisë. Dita “do të ikë nga vjetërsia”, por njëkohësisht “nuk do të përsëritet”. Ky paradoksalitet kohor e bën atë dhunë një ngjarje unike, të papërsëritshme, por me jehonë të pafund. Ajo do të “rritet në fjalë të botës” dhe do të marrë “lloj-lloj gjykimesh”, për të cilat, që atëherë, poeti nuk dyshonte. Pra, dhuna e cila do t’i bëhet traumë edhe atij, do të bëhet objekt interpretimi, debatimi, madje edhe manipulimi. Megjithatë, pikërisht ky shumëzim i kuptimeve është ajo që e “amshon” ditën. Dhe ky mendim, dilte nga një poeti në fillimet e karrierës së tij letrare dhe profesionale, gjë që ia vlenë të shqyrtohet poezia në kontekstin e asaj kohe dhe të atyre rrethanave, kundruar nga e tashmja pa anime dhe pa gjyrime.
Në strofën e fundit, poeti e ka zhvendosur fokusin e tij nga historia tek akti i shkrimit. “Këto vargje, që tash në vetmi po i shkruej”, janë një dëshmi intime, por edhe një reagim i menjëhershëm ndaj ngjarjes. Veçmas për ato rrethana, për atë kohë, është guxim, sepse këtu kemi një vetëdije të fortë poetike dhe intelektuale, sepse vargu i poetit ka lindur si dokument i atij çasti, si “pjellë e ditës së sotme”, pra e ditës, në vitin 1964. Prandaj aspekti kohorë e vendos poezinë në një funksion të dyfishtë, si akt estetik dhe si akt i një dëshmie faktike.
Në thelbin e saj, poezia “Elegji ditës” është një poezi mbi kujtesën si rezistencë kolektive, si dëshmi që nuk e ka shlyer dhe zhbërë harresa. Sidomos në atë kohë dhe në ato rrethana kur pushteti përpiqej t’i fshinte gjurmët e krimit, të zhdukte dëshmitarët dhe të detyronte popullin të heshtëte, por poeti Ibrahim Kadriu, e ka bërë të kundërtën. Ai e emërtonte ditën e një viti të largët, e ngarkonte me kuptimin real të saj dhe artistikisht e dorëzonte në duart e historisë. Kjo disidencë historike është e vitit 1964 dhe e një poeti shumë i ri.
As tani, kjo poezi nuk duhet të lexohet vetëm si një reagim ndaj asaj ngjarjeje që lidhej edhe me shokët e tij të shkollës dhe të jetës. Poezia “Elegji ditës”, siç e thash më parë, është një disidencë e asaj kohe që falë tij ka mbijetuar, dhe tashmë Poezia në fjalë, është dëshmitare për tragjikën që i ndodhte një populli të tërë, dhe në anën tjetër, është treguese e pamohueshme për përpjekjet intelektuale të asaj kohe për ta shpëtuar të vërtetën nga harresa.
