Deklarimet e fundit të publikuara në disa media serbe, të mbështetura në njoftime të shpërndara nga Policia e Serbisë, për gjoja sulme të armatosura në zonën kufitare me Kosovën, përbëjnë një përpjekje të qartë për të prodhuar një realitet të rremë sigurie.
Policia e Kosovës ka vepruar me profesionalizëm të plotë, duke aktivizuar të gjitha mekanizmat verifikues institucionalë dhe duke konfirmuar se nuk ekziston asnjë dëshmi për incidente të tilla në brezin kufitar.
Çdo informacion është trajtuar me seriozitet maksimal dhe për të gjitha veprimet është njoftuar edhe KFOR, në kuadër të bashkëpunimit të rregullt dhe transparent ndërinstitucional.
Përsëritja e skenarëve të njëjtë – pretendime për persona të maskuar, të shtëna me armë automatike dhe ikje drejt territorit të Kosovës – pa asnjë provë të verifikueshme, tregon qartë se këto lajme nuk burojnë nga ndonjë incident i faktuar në terren, por nga një qendër dezinformuese që operon brenda strukturave të mbrojtjes & sigurisë në Serbi, e cila prodhon narrativa të gatshme dhe i shpërndan përmes Policia e Serbisë si kanal institucional për t’u dhënë atyre peshë formale dhe për t’i amplifikuar më pas në media të kontrolluara.
Ky është një mekanizëm klasik:
1. Prodhohet incidenti në letër.
2. Formalizohet përmes komunikimit zyrtar policor.
3. Shndërrohet në valë mediatike.
4. Përdoret për konsum të brendshëm politik dhe për presion diplomatik.
Qëllimi është i qartë: krijimi i perceptimit të pasigurisë, tensionimi artificial i situatës kufitare dhe ndërtimi i një narrative që mund të përdoret për konsum të brendshëm politik apo për presion diplomatik.
Policia e Kosovës mbetet institucion profesional, i besueshëm dhe plotësisht i përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit kushtetues dhe sigurisë së të gjithë qytetarëve pa dallim. Transparenca, koordinimi me partnerët ndërkombëtarë dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo informacioni janë dëshmi e qartë se siguria në Kosovë nuk ndërtohet mbi propagandë, por mbi fakte.
Çdo përpjekje për fabrikim incidentesh duhet të kuptohet si pjesë e një lufte hibride informative.
