Në ambientet e restorantit “Dubrovnik”, në lagjen “Dardania” në Prishtina, pata rastin të takoja Prof. Dr. Rexhep Gjergjin, profesor universitar dhe një nga figurat e njohura të jetës akademike e politike të viteve ’90 në Kosovë. Ai ka qenë i angazhuar edhe në strukturat e Lidhjës Demokratike të Kosovës, ku ka ushtruar funksione drejtuese në një periudhë me zhvillime të rëndësishme shoqërore dhe politike.
Prof. Dr. Rexhep Gjergji i përket atij brezi akademikësh që veprimtarinë profesionale e kanë ndërtuar paralelisht me angazhimin qytetar. Formimin universitar dhe gradat shkencore i ka përfunduar në vitet ’80, duke u renditur ndër doktorët më të rinj të matematikës në atë kohë. Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ai ishte çifti i parë bashkëshortor me titull profesor dr. Dhe ligjerues universitar, një fakt që shënon një moment domethënës në historinë e institucionit dhe emancipimin e shoqërisë akademike.
Në planin politik, ai ka qenë Kryetari i parë i Degës së LDK-së në Podujevë, anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së dhe këshilltar i Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, gjatë viteve ’90. Po ashtu ka ushtruar detyrën e Sekretarit Organizativ dhe ka qenë i angazhuar në koordinimin e degëve të LDK-së në diasporë, duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me strukturat organizative në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Formimi i tij shkencor dhe përvoja shumëvjeçare në arsimin e lartë dëshmojnë për një qasje të qëndrueshme ndaj punës akademike. Në ligjërimet e tij ka theksuar qartësinë logjike, përpikërinë metodologjike dhe disiplinën intelektuale, elemente thelbësore për një profesor të matematikës. Në angazhimin publik, është karakterizuar nga një qasje e moderuar dhe dialoguese, duke e parë procesin politik si hapësirë diskutimi dhe organizimi institucional.
Në planin pedagogjik, deri në pensionim, Prof. Dr. Rexhep Gjergji ka kontribuar në edukimin e shumë brezave studentësh. Ai është dalluar për korrektësi akademike dhe standarde të larta profesionale, ndërsa në komunikimin me studentët dhe bashkëpunëtorët ka kultivuar frymën e respektit dhe të përgjegjësisë.
Portreti i tij intelektual shtrihet përtej auditorit universitar. Ai përfaqëson modelin e akademikut që e konsideron dijen si përgjegjësi publike dhe që e ka parë angazhimin qytetar si pjesë të natyrshme të rolit të intelektualit. Në rrethana të ndërlikuara historike, ka ruajtur qëndrueshmëri në parime dhe përkushtim institucional.
Në këtë kuptim, figura e Prof. Dr. Rexhep Gjergjit mbetet e lidhur me një periudhë të rëndësishme të zhvillimeve akademike dhe politike në Kosovë, duke përfaqësuar një ndërthurje të përvojës universitare me angazhimin publik!…
Prishtinë, 16.02.2026
Shefqet DIBRANI
