(alla franga në fjalë – alla turca në vepra)
Gazetari gjerman Michael Martens tha se promovimi i filmit për Melania Trump nga Presidentja Vjosa Osmani ishte “prostitucion intelektual vetëposhtërues”.
Kabineti i saj e quajti gazetarin “të çmendur” dhe paralajmëroi padi.
Martens u habit: ka shkruar kundër Putinit për 30 vjet dhe askush nuk e ka paditur.
E, po, kështu të del punë kur e quan intelektuale dikë që s’është.
Termi “prostitucion intelektual” nuk është i rëndë.
Nënkupton sakrifikimin e dijes, integritetit dhe mendimit për karrierë apo interes.
Por këtu lind paradoksi: akuza e tillë ka kuptim vetëm kur e ke fjalën për dikë që ka intelekt për ta shitur.
Në këtë kuptim, gazetari, pa dashur, i ka bërë një kompliment që nuk qëndron: e ka akuzuar Presidenten për diçka që nuk është – intelektuale.
Prandaj, “gjyq” s’ka, sepse paditë ajo i përdor si frikë.
Presidentja Osmani, me burrë, e ka merak disiplinimin e gazetarëve.
Në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi… kudo ku jetojnë shqiptarët, më së paku, apo fare, ka “prostitucion intelektual”, sepse s’ka intelektualë.
Por ka shumë më tepër “prostitucion në drejtësi”, “prostitucion në politikë”, në gazetari… aty-këtu edhe në art… por as art s’ka, kështu që… lamtumirë.
Politika u përpoq të më bëjë të sjellshme – madje edhe mua.
Njëherë i thashë një këshilltari të një ministri (PDK) se ishte mashtrues, hajdut dhe injorant.
Ai kërkoi që ministri të më largonte nga puna.
Unë i thashë: shteti s’mund të ma ndryshojë mendimin për ty… dhe, meqë ra fjala, tani mendoj se je edhe budalla.
Ministri ishte më i mençur se këshilltari: pas një muaji e largoi vetë.
Sepse ndonjëherë, e vërteta nuk fiton në sallë gjyqi, por në praktikë.
Prandaj, në këtë histori, gazetari gjerman humb në gjyq, sepse nuk e tha të vërtetën: Presidentja nuk është intelektuale.
Keni lexuar ju ndonjë ese të saj për ndonjë dilemë intelektuale… përveç postimeve vetëlavdëruese!
Vjosa Osmani: Trumpi ma siguron mandatin e dytë.
Donald Trump: Si quhet ajo grua?
P.S. I thashë: dashuria është si ajo e Jakobit për të birin Jusufin… që qau aq shumë për të, me vite, sa nga lotët e pambarim iu bënë sytë e bardhë dhe e humbi shikimin…
Të nesërmen, syri im i djathtë u lëndua papritur… nga lotët aq të njelmët për humbjen e dashurisë… apo nga mendimi!
AUTOKRITIKË: Boll tash.
