Home » Mos ia dorëzoni askujt të drejtën të prekë mënyrën si e përjetoni veten.

Mos ia dorëzoni askujt të drejtën të prekë mënyrën si e përjetoni veten.

nga World Ks

Nga : Mimoza Rexhvelaj

Njeriu që përpiqet t’ju bëjë të ndiheni të gabuar flet nga një dritare e ngushtë, ku hijet e tij marrin formën e gjykimit dhe ajo që dëgjoni nuk është e vërteta për ju, por kufijtë e mendimit të tij.

Shpesh harrojmë se unë-i nuk është një send që peshohet. Është një hapësirë e brendshme që zgjerohet sa herë kemi guxim ta mbrojmë nga zhurma e botës.

Filozofët e lashtë e dinin se vetja nuk është statujë mishi, por lëvizje që transformohet me çdo përjetim.

Herakliti do të thoshte se njeriu është lumë. Nëse e pranojmë këtë, askush s’mund të na shpallë të tepërt, sepse rrjedha nuk matet me metra, por matet me drejtimin që zgjedh…

Kierkegaard-i do të shtonte se pesha e ekzistencës nuk qëndron në syrin e tjetrit, por në vetminë e zgjedhjes që guxon të bësh. Identiteti nuk është dhuratë, por akti i të jetuarit.

Prandaj, kur dikush përpiqet t’ju heqë nga koha dhe rrugëtimi juaj, kujtojini vetes se koha e brendshme nuk njeh gjurmë të huaja. Njeriu lind me një dritë që nuk lidhet me orare…

Kur e pranoni këtë e kuptoni se nuk jeni këtu për t’u zvogëluar që të përshtateni me botën, por për të ndriçuar sipas ritmit tuaj të brendshëm.

Plotini besonte se shpirti kërkon gjithnjë të ngrihet drejt burimit të dritës, sepse nuk është krijua për t’u tkurrur nën hijen e të tjerëve.

Po ta ndjeni këtë me gjithë qenie tuaj e kuptoni se nuk jeni pjesë e botës për të qenë të vegjël, por për të rrezatuar si ajo drita që s’ka asnjë detyrim ndaj askujt, që të provojë se është diell…

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment