Nga Adelina Pali
Teksa shfletoj faqet e rrjeteve sociale, përhumbur mes dritash virtuale dhe buzëqeshjesh të ngrira në korniza dixhitale, më përplasen në sy foto të pjatave të zbukuruara si trëndafilë mbi rërë.Plot ngjyra, forma, garnitura ekzotike, shoqëruar me poza që sikur duan të thonë: “Shihni sa mirë jemi!”.
Dhe ndoshta janë, ndoshta jo. Sepse përtej estetikës së pasqyrave sociale, fshihet një realitet që nuk e përtyp dot as gota më e shtrenjtë e verës dhe as pjatat e arta të luksit të rremë.Zemra më ngushtohet kur mendoj për ata që nga ekranet e thjeshta të telefonit të dorës së dytë, shohin këto pamje dhe ndjejnë një thumb në shpirt.
Ata që nuk kanë ç’të shtrojnë mbi tryezë, përveç një cope bukë të thatë dhe një lutjeje në heshtje. Ata që buzëqeshin edhe kur barku u kërcet nga uria, që gëzojnë për gjërat e vogla: për një ditë pa shi në çatinë që pikon, për një fjalë të mirë, për një përqafim.Çfarë është kjo uri për t’u dukur, për të krijuar një botë fasadash, për të reklamuar jo ushqimin, por egon e fryrë? Pse ngulmoni të derdhni kripë mbi plagët e një populli që akoma shkund pluhurin e varfërisë nga supet?
Janë të shumtë ata që nuk kanë as ujë të pastër, as energji elektrike, as ngrohtësi në shtëpi. Por kanë një pasuri që nuk blihet me para…zemrën. Zemrën që dhemb për të tjerët, që ndjen për ata që vuajnë, që skuqet nga turpi kur sheh pabarazi kaq të thekshme. Ndërsa ju, që bëni paradë me pjata të shtrenjta, dukeni si aktapodë që përdridhen në mendjemadhësinë tuaj, duke harruar se dhe pas një darke të shtrenjtë, zorrët bosh të dikujt tjetër vazhdojnë të kërkojnë shpresë.
O ju që shisni një jetë që nuk është e juaja, a nuk ndjeni një grimë mëshire për ata që ju shohin me sytë plot lot dhe zili? A nuk keni kuptuar ende se lumturia nuk matet me kalorazhin e darkës, por me ndjenjën që shpërndan? Një zemër e mirë vlen më shumë se një pjatë me karkaleca.Më prekin postimet e thjeshta. Një fëmijë që luan buzë një lumi, një nënë që punon tokën me duar të lodhura por të pastra, një buzëqeshje që buron nga brendia, jo nga filtri.
Janë këta njerëz të vërtetë që na mësojnë se dinjiteti nuk ka nevojë për zbukurime.
Ata nuk fryhen, por rrezatojnë. Nuk reklamohen, por jetojnë. Nuk pozojnë, por prekin shpirtin.Ndaj, ju që doni të shfaqeni të pasur, bëhuni së pari të pasur me shpirt. Nëse keni me të vërtetë, dhuroni. E nëse s’keni ç’të jepni, mos merrni atë që nuk është për ju…respektin e të tjerëve.
Mos shisni lumturinë false. Sepse zemrat e vrara nuk shërohen me fotografi, por me dashuri. Ndaj, në vend të pjatave të zbukuruara, postoni pak dhembshuri, pak ndjeshmëri… dhe mos harroni: më mirë një lugë dashuri, sesa një tryezë hipokrizie.