Vij nga një prapavijë e studimeve sociale, me Master në Sociologji dhe përvojat e para si punëtore sociale. Si e re në këtë profesion, jam përballur me realitete të ndryshme të komunitetit tonë, duke parë nga afër sfidat që kanë familjet, të rinjtë, gratë dhe fëmijët. Për mua, puna sociale nuk është thjesht profesion, por mënyrë e të jetuarit – të jesh pranë atyre që kanë nevojë dhe të kërkosh zgjidhje të drejta.
Jam rritur në një familje ku solidariteti dhe përkujdesja ndaj njëri-tjetrit kanë qenë pjesë e përditshmërisë. Këto vlera dua t’i sjell në politikë, duke i kthyer në vendime që prekin jetën e qytetarëve. Prandaj them me bindje se ka ardhur ora për familjen, që të mbështetet me kushte më të mira për arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale cilësore.
Po aq e domosdoshme është ora për barazi, që gratë dhe vajzat të kenë hapësira të barabarta në çdo aspekt të jetës sonë shoqërore. Ora për rininë, për të krijuar mundësi të reja në arsim, kulturë, punësim dhe inovacion. Dhe, ora për sportin, si forcë që edukon, bashkon dhe rrit gjenerata të shëndetshme.
Këto nuk janë vetëm fjalë, por reflektim i punës sime, i aktivizmit rinor ku kam qenë pjesë, i sportit që më ka mësuar disiplinë dhe këmbëngulje, si dhe i përvojave të para profesionale që më kanë bërë të kuptoj më mirë se ku dështojnë institucionet dhe ku duhet të ndryshojmë qasjen.
Sot, me energjinë dhe përvojën time, kandidoj për Kuvendin Komunal në Podujevë me Numrin 28 në listën e Vetëvendosjes, sepse besoj se ka ardhur ora e mirë për Podujevën, ora për një qytet që punon për familjet e veta, që mbështet të rinjtë, që garanton barazi dhe që sheh sportin e kulturën si pjesë të zhvillimit të tij.