Sikurse edhe çdo vit tjetër, me 11 shtator bashkë me presidenten dhe kryeparlamentarin, bëjmë homazhe dhe vendosim lule të freskëta te pllaka përkujtimore që i dedikohet viktimave të sulmit terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sot 24 vjet më parë, 19 terroristë, me katër avionë, vranë 2977 amerikanë, në mesin e të cilëve tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj, në një sulm të tmerrshëm terrorist që i ndryshoi edhe marrëdhëniet ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe paralajmëroi rreziqet e mëdha që na presin në këtë shekull.
Sot, nuk janë vetëm akterët parashtetërorë, por edhe shtetet, të cilat ushtrojnë terrorizëm. Ne kemi pasur rastin në Kosovë, ku struktura të caktuara ilegale të udhëhequra nga Beogradi zyrtar, kanë zhvilluar aksione terroriste në vendin tonë. Natyrisht në kontinentin e vjetër evropian, terrorizmi që ushtrohet më së shumti, është ai nga Federata Ruse dhe nga presidenti despotik Putin, kundër popullit ukrainas dhe kundër vlerave të lirisë e të demokracisë.
Ne shprehim solidaritetin me popullin amerikan, ngushëllimet për familjet e viktimave, përfshirë aty edhe familjet e 403 zjarrfikësve e policëve që ranë në krye të detyrës në përpjekje për t’i shpëtuar njerëzit të cilin ishin të kurthuar në ndërtesat që po digjeshin e po shembeshin.
Në vend të ‘Kullave Binjake,’ tani aty është ‘Kulla e Lirisë’ në Nju Jork, e cila është një ndërtesë edhe më e lartë duke simbolizuar kësisoj që forca e demokracisë dhe sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut gjithmonë ngadhënjejnë mbi brutalitetin dhe mizorinë e terroristëve të të gjitha ngjyrave.