Home » PROTONIZMI DHE RICHARD POWERS

PROTONIZMI DHE RICHARD POWERS

nga World Ks

(Romani“Jehona e Kujtesës” nga Richard Powers)

Hyrje

Në librin “Protonizmi, nga teoria në praktikë”, profesori dhe shkrimtari Gjekë Marinaj demonstron se si teoria e tij kritike, protonizmi, mund të zbatohet mbi vepra konkrete të letërsisë botërore. Protonizmi, i ngritur mbi parimin e energjisë pozitive të fjalës “proton”, synon të vërë në pah aspektin ndriçues dhe humanizmin në një vepër artistike. Shembull për qasje të këtij koncepti është analiza e tij për romanin “Jehona e Kujtesës” të Richard Powers, në të cilën Prof. Dr. Gjekë Marinaj, ku e vendos autorin në piedestalin e letërsisë bashkëkohore, duke theksuar si një zë universal të humanizmit.

“Jehonën e Kujtesës”

Prof. Dr. Gjekë Marinaj e quan Richard Powers-in një “enciklopedi të kulturës së perëndimit” duke e vendosur përkrah autorëve më të mëdhenj amerikanë: “Richard Powers është një ndër zërat më të fuqishëm të prozës së sotme, jo vetëm amerikane, por edhe botërore… Nëse Herman Melville i dha Amerikës një ‘Moby Dick’, Powers i ka dhënë një ‘Jehonë të kujtesës’” (Protonizmi, nga teoria në praktikë, fq. 86-87). Ky vlerësim i drejtpërdrejtë e shfaq natyrën protoniste të kritikës. Gj. Marina, në analizën kritike, nuk ka bërë përpjekje të gjejë tek ky autor ndonjë mangësi, por është marrë me përmasën e tij universale, e cila përkon me konceptin filozofik e letrar të protonizmit, themelues i të cilit është vet ai.

Një element i veçantë në analizë është ndërthurja e letërsisë me artet pamore. Prof. Dr. Gjekë Marinaj, shprehet se proza e Powers-it ngjason me pikturën “Nata me yje” të Van Gogh-ut, sepse ajo krijon “një simfoni drite dhe errësire, ku çdo fjali është një brushë që shton tingull, ritëm e ngjyrë në jetën e lexuesit”, (po aty, fq. 89). Ky krahasim e çon romanin përtej fjalës së shkruar, duke e shndërruar në një përvojë estetike të shumëfishtë. Ky është një tipar thelbësor i protonizmit: Të gjejë harmoni ndërmjet letërsisë dhe energjisë pozitive në art në përgjithësi.

Një tjetër aspekt që Prof. Dr. Gjekë Marinaj, e vë në pah është përkthimi shqip i veprës. Ai nuk e sheh përkthimin si një thjeshtim mekanik, por si një akt që “ringjall të njëjtën energji dhe të njëjtin puls shpirtëror” në një gjuhë tjetër (po aty, fq. 91). Kjo qasje protoniste e bënë përkthyesin si krijues dhe bashkudhëtar, i cili i ka dhënë romanit jetë të re pa e humbur frymën origjinale.

Për Prof. Dr. Gjekë Marinajn, Richard Powers është një shkrimtar që sfidon mendimin dhe intelektin, duke u radhitur pranë DeLillo-s dhe Pynchon-it, por që njëkohësisht e tejkalon letërsinë e kohës së vet, sepse “me një fuqi të rrallë i drejtohet shpirtit njerëzor, duke e vënë përballë pyetjes themelore: ‘Kush jam unë?’” (po aty, fq. 93). Kjo e bën Richard Powers-in një autor që nuk u drejtohet masave për argëtim, por për të zgjuar vetëdijen e lexuesit.

Përmbyllje

Analiza e Prof. Dr. Gjekë Marinajt për Richard Powers është më shumë se një kritikë letrare; ajo është një dëshmi e fuqisë së protonizmit si vizion letrar dhe humanist. Duke e krahasuar “Jehonën e Kujtesës” me kryevepra të letërsisë dhe të artit botëror, Prof. Dr. Gjekë Marinaj, dëshmon se letërsia nuk është thjesht tregim, por një burim drite dhe reflektimi. Përkthimi, gjithashtu, shihet si një akt estetik që përcjell të njëjtën energji pozitive edhe në gjuhën shqipe. Në fund, ky lexim protonist e shndërron Richard Powers-in në një autor që nuk i përket vetëm letërsisë amerikane, por gjithë kulturës universale. Në këtë mënyrë, edhe protonizmi nuk mbetet thjesht teori, por bëhet praktikë e gjallë, që na kujton se letërsia është dhe duhet të mbetet një kandil ndriçues, por edhe shpresë dhe dashuri për njeriun.

Prishtinë, 22 tetor 2025.

Shefqet DIBRANI

*Marrë nga libri: “LEXIM METAKRITIK NË DRITËN E PROTONIZMIT, (Kritikë letrare, për librin “Protonizmi, nga teoria në praktikë”, nga prof. dr. Gjekë Marinaj), botoi “NACIONAL”, Tiranë 2010.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment