Home » Luljeta Aliu : Mërgata – Të huaj atje, të huaj në atdhe!

Luljeta Aliu : Mërgata – Të huaj atje, të huaj në atdhe!

nga World Ks

E drejta e votës për mërgatën lejohet nga shumica e shteteve demokratike, ndonëse në forma të ndryshme. Konsiderohet që kjo e drejtë u takon, meqë zhvillimet politike prekin, ndër të tjera, të drejtat e tyre tatimore, të pronësisë, të trashëgimisë e të shtetësisë.

Në anën tjetër, qytetarët rezidentë ankohen se mërgimtarët nuk mund ta njohin realitetin politik mjaftueshëm dhe, mbi të gjitha, nuk i bartin pasojat e përditshme të vendimeve politike. Kjo kritikë nuk mund të mohohet për rastet e zakonshme.

Por, nëse flasim për mërgatën e Kosovës, këto argumente janë të pavlefshme. Sipërfaqësore madje.

Lënë anash rëndësinë ekonomike të remitencave dhe investimeve të mërgatës sonë, një gjë nuk duhet harruar: Kosovarët nuk e kanë lëshuar atdheun vullnetarisht. Atyre u është imponuar mërgimi.

Kosovarëve iu mohua e drejta e lirisë dhe e jetës. Iu mohua e drejta për shtet. Kosovarët u vranë, u burgosën, u dëbuan. Kosovarët u masakruan. Këto janë arsyet pse pjesa dërmuese e tyre ishin të detyruar ta lënin pas atdheun. Mërgimi ishte shpëtimi i vëtëm nga spastrimi etnik.

Të vendosësh sipas dëshirës se në cilin shtet të pëlqen të jetosh paraqet privilegjin e lirisë së zgjedhjes, ndërsa detyrimi të arratisesh nga vendi yt është mohim i së drejtës për të jetuar. Duke qenë diametralisht të ndryshme, këto raste as nuk mund të krahasohen. Kosovarët u detyruan të migronin për të ekzistuar. Mes dy rasteve, dallimi nuk është vetëm esencial. Dallimi këtu, përtej esenciales, është ekzistencial.

Një pjesë e konsiderueshme e mërgimtarëve kosovarë ende nuk e kanë shëruar traumën e migrimit. Ata që ishin të martuar dhe me fëmijë kur migruan, veçse kishin një identitet të formuar. Shtuar obligimet familjare, ky grup mërgimtarësh nuk ka pasur mundësi të zhvillojë kontakte të shpesha me qytetarë të vendeve ku migruan. Integrimi në ato vende ishte më i vështirë për ta.

Shumë prej tyre edhe sot mendojnë se një ditë do të kthehen në vendlindje, ashtu siç kishin shpresuar se qëndrimi larg Kosovës do të zgjaste vetëm disa muaj. Ata, ndjehen të huaj atje. Për ta, shtëpia është në Kosovë, në atdhe.

Këta migrantë ndjekin zhvillimet politike në Kosovë me përkushtim më të thellë se plot qytetarë brenda Kosovës. Interesimi i tyre për Kosovën dhe zhvillimet politike brenda saj, për ta, nuk është vetëm zgjedhje rasti apo aktivitet kënaqësie. Për këtë grup migrantësh, lidhja me Kosovën paraqet betejën shpirtërore për ravijëzimin e identitetit të tyre individual. Kosova është thelbi psikologjik i qenies së tyre.

Prandaj, kushdo që e vën në pikëpyetje të drejtën e votës së mërgatës, nuk e ka përjetuar kurrë dhimbjen e migrimit të detyrueshëm.

Shiko më pak

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment