Home » TRAZIMET E SHPIRTIT

TRAZIMET E SHPIRTIT

nga World Ks

Selvete Abdullahu, “BALADË E HUMBUR”, poezi, botoi Shtëpia Botuese, “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2025, (86 faqe). ISBN 978 9951-594-75-2

Poezia është streha më e sigurt ku poetesha ka shpalosur ndjenjat më të thella dhe dashuritë që nuk mund t’i mbajë dot vetëm për vete. Vëllimi poetik “BALADË E HUMBUR” nga Selvete Abdullahu është i tillë. Vëllimi përbënë një mozaik të motiveve që shprehin ndjenjën e brendshme të autores. Në dukje, i konceptuar si ditar shpirtëror që regjistron motive të shumta me drithërima të dashurive njerëzore, e shpeshherë edhe me përballje nëpër sfidat e jetës. Përmes vargjeve pa zbukurime të tepruara, poetesha arrin të prekë emocionet e ndjeshme të lexuesit. Vëllimi “BALADË E HUMBUR”, është strukturuar në pesë cikle poetike: “Jeton në zemrën time”, “Me strajcën e zbrazur”, “Përqafimi yt jam”, “Nga gjithë këto trazime” dhe “Për teket e valëve të rrëmbyeshme”, dhe kështu si është poezitë pasqyrojnë një lloj beteje të vazhdueshme nëpër dëshpërimet dhe shpresat e jetës.

Një prej motiveve të këtij vëllimi është dashuria për Atdheun. Kjo dashuri shfaqet si lidhje e mishëruar që determinon edhe pilësimin e zemrës së poeteshës, qysh në ciklin e parë, “Jeton në zemrën time”, Selvete Abdullahu e ka vendos atdheun si prioritet të qasjes së saj. Në poezinë “Me ngjyrat kuqezi”, (f.08), simbolika e flamurit kuq e zi, merr jetë sa herë rrotullohet në qiellin e kaltër si një shqiponjë e lirë: “Mbi një shkabë të zezë/ Qëndron pëlhurë e kuqe/ Me shqiponjën në mes duket se fluturon”, (po aty, f.08).

Përmes këtij imazhi tejet përjetues, flamuri shndërrohet në një qenie të gjallë që valvitet në qiellin e kaltër duke u ngulitur përgjithmonë në zemrat e shqiptarëve. Me të njëjtën ndjenjë vijon poezia “Më ke pranë”, (f.9), në të cilën shprehet një gatishmëri për të përballuar çdo sakrificë për hir të Kosovës. Përmes krahasimeve mjaftë të fuqishme, ajo shprehet në vargjet e para, se as uragani, as zjarri, as acari dhe as vapa e Saharës nuk do ta pengojnë përkushtimin e saj: “Si flia nën saç/ Prej jetës gjer në vdekje/ Më ke pranë/ Kosovë”, (po aty, f.9). Vargu “si flia nën saç” e lidh dashurinë për atdheun me traditën, vatrën dhe bukën e shtëpisë. Edhe te poezia “Andej vrapoj”, (f.12), vargu “Të dua Shqipëri/ Ëndërr e lotit tim”, (po aty, f.12), e bënë mallin e saj të pashuar duke shprehur dëshirën për t’u bashkuar me të, “Andej vrapoj me hapa të lehtë/ Të vij në kraharorit tënd”, (po aty, f.12), është shprehur ajo.

Dashuria për atdheun te Selvete Abdullahu lidhet ngushtë me mirënjohjen që shpreh për dëshmorët që kanë dhënë jetën e tyre që vendi ynë të gëzojë lirinë. Poetesha me vargjet kushtuar dëshmorëve i bënë ata të pavdekshëm. Në poezinë “Portret engjëllor”, (f.13), kushtuar heroinës Antigona Fazliu, metafora e dritës dhe e diellit paraqet çiltërsinë e motivit mbi sakrificën. Ajo e sheh Antigonë Fazliun duke fluturuar mbi krahët e shqiponjës, andaj pyet me dhembshuri: “Mos je ti Antigonë që i jep dritë tokës e qiellit?/ Apo u shndërrove në rreze dhe i ngjason diellit?”, (po aty, f.13). Përmes këtyre pyetjeve retorike, poetesha e lartëson figurën e heroinës, duke e parë portretin e saj në çdo lule të re që çel në tokën e lirë. Po ashtu, te poezia “Mbi atë gur tha”, (f.14), sillet figura e komandantit (A.Ramadani, vërejtja ime), që ecën burrërisht për të bashkuar atdheun dhe për të hequr kufijtë e padrejtë që ndajnë I-lirinë. Ndërsa te poezia “Legjendë e gjallë”, (f.15), kushtuar Feriz Gurit, rënia e heroit shihet me mjaftë krenari, pasi vetmohimi i tij është themeli i lirisë: “Në ditën e rënies sate/ S’ka lot as pikëllim/ Se zemra e Kosovës je/ Legjendë e gjallë/ Pulson veç liri”, (f.15). Në këto vargje dallohet një antitezë e bukur: Edhe pse trupi ka rënë, zemra e tij vazhdon të rrahë e të pulsojë në liri, madje heroi është kthyer në një legjendë që nuk do të vdes kurrë. Ky motiv rishfaqet edhe më vonë te poezia “Kënga”, (f.79), në të cilën frymëzimi epik dhe kujtimi i dëshmorëve e bëjnë gjakun të vlojë në deje: “Mes guximit e qëndresës/ Buron krenaria/ Me sy dashurie shoh atdheun”, (po aty, f.79).

Në ciklin e dytë, “Me strajcën e zbrazur”, toni i poezive bëhet realist. Vargu “Strajca e zbrazur” shpreh simbolikën e emigrimeve nga vendlindja me duar bosh dhe me zemra të thyera, ikun me plot ëndrra për një jetë më të mirë, edhe pse atdheu varfërohej nga prezenca e tyre fizike. Kështu te poezia “Dëshirat rrugëve pëshpëritnin”, (f.19), autorja i përshkruan me dhimbje kohët e vështira të varfërisë, kur ikja shihej si e vetmja rrugë shpëtimi, duke e lënë atdheun të vetmuar: “Hija jonë qante tinëz/ Duke jetuar ndryshe jetën/ Me strajcën e zbrazur/ Në ëndrrat e mbushjes së saj”, (po aty, f.19). Ky personifikim i hijes që qan tinëz tregon ndarjen e brendshme të mërgimtarit, dhimbje që ndihet edhe te poezia “Buron ndjenjë”, (f.27), “Kur thur vargje për ty/ Veç kurbetin shoh”, (po aty, f.27). Po ashtu, zemra e autores ndjen empati të thellë për hallet e njerëzve të thjeshtë, si leckamani që kërkon mëshirë te poezia “Si të ta shlyej vonesën”, (f.20), apo uria e shprehur te poezia “Plagë”, (f.21), “Dikujt sonte i gërryen shpirti/ Nga shportë e zbrazur e bukës”, (po aty, f.21).

Duke u thelluar nëpër motivet e këtij vështrimi, shihet se poezia e Selvete Abdullahut, fokusohet edhe te një kritikë më e hapur ndaj dukurive negative të shoqërisë, siç janë hipokrizia dhe padrejtësitë e ndryshme. Te poezia “Nën maskë”, (f.68), ajo atakon njerëzit me dy fytyra, dhe nëpërmes kontrastit mes dukjes së jashtme dhe realitetit, vargu e çartëson më mirë: “Me veprime të çoroditura/ E paraqitje engjëllore/ Hiqesh e ëmbël dhe e drejtë/ Realiteti të nxjerr ndryshe”, (po aty, f.68). Ndërkaq, te poezia “Thirrje”, (f.69), Selvete Abdullahu proteston kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të njerëzve, duke bërë thirrje për veprim: “Lypset ndryshuar strategjinë/ Durimi rrallë kryen punë/ Diktatura s’hiqet me lëmoshë”, (po aty, f.69), e në vargjet e fundit të kësaj poezie, poetesha përdor një metaforë mjaftë e dhimbshme për fatin e njerëzve të pambrojtur: “Njerëz/ Limojtë e shtrydhur/ Në mbeturina hidhen”, (po aty, f.69). Një gjendje pak a shumë e ngjashme është edhe te poezia “Qetësi e Tibetit”, (f.74), ndihet dhimbja për padrejtësinë që përjeton ai popull, ndërsa te poezia “Një ditë pa britma dua”, (f.55), shfaqet lodhja nga zhurma e përditshme, e krahasuar me “vagonët e një treni transportues”, (po aty, f.55).

Një tjetër motiv i rëndësishëm që përshkon vargjet e Selvete Abdullahut është koha dhe gjurmët e saj që lë mbi shoqërinë. Në poezinë “Leximi i rrudhave”, (f.11), një fëmijë e pyet me habi të atin se pse i janë zbardhur flokët, kurse poetesha përgjigjet: “Nga gjithë kjo enigmë vitesh/ E shtrëngatash/ Nuk ishte risi/ Na lexoi edhe një fëmijë!”, (po aty, f.11). Kjo ide përsëritet edhe te poezia “Njeriu i kësaj kohe”, (f.22), poetesha përmes krahasimit na tregon se si grumbullohen hallet mbi fytyrën e njeriut: “Mbi ballin e rrudhosur/ Palosen vuajtjet e tij/ Si teshat në vitrinën time të vjetër”, (po aty, f.22), ndërsa thinjat krahasohen me “dëborë e ftohtë”, (po aty, f.22). Në poezinë, “Ritmi i jetës”, (f.23), poetesha i bën apel njeriut të zgjohet, sepse koha mund të ikën “sa hap e mbyll sytë”, (po aty, f.23), ndërsa te poezia “Rrugëtim”, (f.50), ajo na kujton me qetësinë e psikologes se pas nesh mbeten vetëm “fjala e dhembja”, (po aty, f.50).

Në ciklin “Për teket e valëve të rrëmbyeshme”, sfidat e jetës shpeshherë e sprovojnë njeriun me përballje dhe vetmi të rëndë. Te poezia “Pesha e vetmisë”, (f.81), autorja përdorë metaforën e dritares së mbyllur me hekura (parmak) për të treguar izolimin, dhe poezinë e mbyll me krahasimin shqetësues: “Vetmia është e rëndë/ Si plumbi”, (po aty, f.81). Po e njëjta ndjenjë e pafuqisë në përballje me ndjenjat e brendshme shfaqet te poezia, “Porosia e njeriut të pafuqishëm”, (f.61). Në këto vargje, duke iu referuar Sokratit dhe dilemave të Hamletit, poetesha e sheh jetën e saj përmes një alegorie, si një anijeje në mes të stuhisë: “Sa fortuna orvaten për ta përmbysur anijen time/ Sot/ Më duhet një kapiten i mirë/ Mendja të mos më shkojë te dilema hamletiane”, (po aty, f.61). Po ashtu edhe te poezia e cila është edhe titulli i librit, “Baladë e humbur”, qielli i ngrysur pa shi dhe fytyrat e vrara flasin për një shpirt të lënduar nga kujtimet, po veçmas nga një këngë e këputur në mes.

Në një varg poezishë më intime, poetesha i këndon dashurisë sipas përjetimeve të saj. Te poezia “Dashuri”, (f.38), ajo e cilëson këtë ndjenjë si një motiv të fuqishëm që hap një derë të re sa herë mbyllet një tjetër, duke e quajtur “zog zemre”, (po aty, f.38), ndërsa te poezia “Në listën time”, (f.31), dashuria shfaqet besnike: “Braktisja dhe kthimi/ Nuk janë në listën time”, (po aty, f.31). E, krahas kësaj dashurie, vargjet shpeshherë mbushen me pritje dhe zhgënjim. Te poezia “Në pritjen e thellë”, (f.32), kontrasti mes pranverës që simbolizon shpresën dhe vjeshtës që sjell shi e vranësira në mes kemi gjendjen shpirtërore të vet poeteshës. Te poezia “Pa një mrekulli”, (f.43), dashuria e humbur jepet përmes krahasimit me një anije të mbetur “ngecur mes detit”, (po aty, f.43), të tërbuar, ndërsa te poezia “Trokitje e vonë”, (f.44), poetesha përdor metaforën e teatrit për të treguar se dashuria ka ardhur kur është tepër vonë: “Trokit dashuri sa të mundesh/ Në derën time/ Zemrën kam mbyllur/ Perden kam lëshuar/ Sikur pas çdo shfaqjeje”, (po aty, f.44). Megjithatë, edhe kur përballet me zhgënjime e dhimbje, poetesha Selvete Abdullahu nuk dorëzohet. Në vargjet e saj ka gjithmonë një fije drite, një fije shprese. Te poezia “Pëshpërimë jete”, (f.65), një zë i brendshëm i jep kurajë: “Duro dhe pak/ Duro”, (po aty, f.65), ndërsa te poezia “Përballja”, (f.72), autorja përdor metaforën e dritës në fund të tunelit për të ngjallur optimizëm: “Përse mbyll sytë para një rreze drite/ Vezullimin do e gjesh në fund të çdo tuneli”, (po aty, f.72). Këtë qetësi ajo e gjen te besimi në drejtësinë hyjnore, në poezinë “Kryengritje”, (f.71), te vëzhgimi i gjallërisë së natyrës në poezinë “Në natyrë”, (f.77), por sidomos te dashuria e pastër e nënës te poezia “Pamje”, (f.57): “Në buzëqeshjen e nënës/ Shijoj çastet e fshehura të jetës”, (po aty, f.57).

Ajo që e bën të veçantë vëllimin “Baladë e humbur” është thjeshtësia dhe stili me një gjuhën të përditshme, të pasur me ndjenja të pastra dhe vargje të lira ku rima shfaqet natyrshëm. Figuracioni letrar është mjaftë i kuptueshëm: simbolet nga natyra (dielli, hëna, stinët, deti, dallëndyshja, shqiponja), krahasimet e gjetura nga jeta e përditshme (flia nën saç, teshat në vitrinë, e rëndë si plumbi) dhe metaforat e alegoritë e bëjnë poezinë shumë të kollajshme me u lexuar. Siç duket, për poeteshën, poezia është një mision jetik. Kjo dëshmohet nga poezia përmbyllëse e librit, “Pallati i poezisë”, (f.82), ku përmes metaforës së ndërtesës madhështore, ajo i lutet Zotit për kohë që ta çojë deri në fund krijimtarinë e saj: “Vetëm pak çaste më duhen/ Të shuaj etjen time/ Perëndi/ Pak çaste m’i fal/ Ta përfundoj pallatin e mbetur në gjysmë/ Poezinë time”, (po aty, f.82).

Si përfundim, vëllimi poetik “Baladë e humbur” i Selvete Abdullahut është një libër që krijon ngrohtësi në shpirt. Përmes motivit të dashurisë për atdheun, respektit për heronjtë, dhimbjes për mërgimin, kritikës ndaj padrejtësive shoqërore dhe përjetimeve të sinqerta të dashurisë e të shpresës, autorja ka krijuar një mozaik ndjenjash ku çdo lexues mund të gjejë një copë të vetes, sepse poezia e vërtetë nuk ka nevojë për britma, mjafton një zemër e çiltër e cila di të dojë dhe të shpresojë.

Prishtinë, 28 Nëntor 2026

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment