Home » Reagon përseri Halil Geci, babai i Fatos Gecit – Ka një paralajmërim

Reagon përseri Halil Geci, babai i Fatos Gecit – Ka një paralajmërim

nga World Ks

Halil Geci, babai i deputetit Fatos Geci, ka reaguar sërish lidhur me përplasjen mes familjes Geci dhe gazetarit Lirim Mehmetaj, duke theksuar se pajtimi i arritur mes dy familjeve është më i rëndësishëm se deklaratat që, sipas tij, mund të nxisin përçarje.

Geci ka deklaruar se mosmarrëveshjet janë lënë pas dhe se nuk do të lejojë që askush ta përdorë për të nxitur konflikte mes dy familjeve.

Ai ka theksuar se pajtimi është arritur me ndërmjetësimin e Fadil Hadergjonajt dhe Anton Qunit, të cilët i ka cilësuar si dëshmitarë të marrëveshjes mes palëve.

“Besa, paqja dhe respekti janë vlerë e familjes dhe e kombit”, ka shkruar Geci, duke shtuar se askush nuk ka të drejtë ta mohojë apo ta vërë në dyshim atë që është arritur mes tyre.

Megjithatë, Halil Geci ka bërë dallim mes pajtimit familjar dhe çështjeve që lidhen me drejtësinë. Ai ka theksuar se, pavarësisht marrëveshjes mes familjeve, drejtësia duhet të përcaktojë se kush e ka kërcënuar tjetrin.

Në reagimin e tij, Geci i është referuar edhe deklaratave të Lirim Mehmetajt ndaj deputetit Fatos Geci, duke përmendur cilësimet “idiot”, “antikombëtar” dhe “një vijë me Beogradin”. Ai ka pretenduar se, në anën tjetër, Fatos Geci nuk ia ka përmendur emrin Lirim Mehmetajt dhe as familjes së tij në shkrimin përkatës.

“Pajtimi mes familjeve tona është një çështje, ndërsa drejtësia është një çështje tjetër. Secila e ka rrugën e vet!”, ka përfunduar Halil Geci.

Reagimi i tij vjen në vazhdën e zhvillimeve të fundit lidhur me përplasjen publike mes familjes Geci dhe gazetarit Lirim Mehmetaj, për të cilën ndërmjetësuan Anton Quni dhe Fadil Hadergjonaj, me synimin për të lënë pas mosmarrëveshjet dhe për të ruajtur paqen mes dy familjeve.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment