Në prag të Edicionit XV të KosICT, që zhvillohet sot dhe nesër, mbrëmë pata kënaqësinë të jem mes përfaqësuesish të STIKK dhe komunitetit të teknologjisë së informacionit, sikurse ndërmarrësish e partnerësh ndërkombëtarë, në pritjen që i paraprin kësaj ngjarjeje, veçse tradicionale, që është shndërruar në një vendtakim për ide dhe talentë, për inovacion dhe partneritete, duke lidhur Kosovën me botën.
Përgjatë pesë vjetëve të fundit eksporti i shërbimeve të ICT-së është pesëfishuar dhe aktualisht ky sektor përbën 6% të Bruto Produktit Vendor, ndërsa kompanitë tona të teknologjisë po zhvillojnë e ofrojnë zgjidhje për tregun ndërkombëtar, duke dëshmuar se pasuria jonë kryesore janë talenti dhe kreativiteti, por edhe vendosmëria e njerëzve tanë.
Si Qeveri e Republikës, jemi të përkushtuar që të ndërtojmë mbi këtë momentum duke vazhduar të investojmë në infrastrukturë digjitale, modernizim të shërbimeve publike, forcim të edukimit digjital dhe duke krijuar kushte më të mira për inovacion dhe ndërmarrësi. Po punojmë që potencialin e jashtëzakonshëm të Kosovës ta kthejmë në zhvillim për shtetin dhe mirëqenie për qytetarët.


