Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, së bashku me anëtarë të Ekzekutivit komunal, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore të organizuar në nderim të jetës dhe veprës së veprimtarit, mësuesit, poetit dhe autorit Mustafë Krasniqi.
Mustafë Krasniqi, i lindur më 1966 në Shipitullë, që në rininë e tij u angazhua në veprimtarinë kombëtare, duke qenë pjesë e brezit që me guxim dhe përkushtim kontribuoi për lirinë, çështjen kombëtare dhe ruajtjen e identitetit shqiptar. Ai ishte bashkëveprimtar i Xhavit Hazirit dhe një personalitet i lidhur ngushtë me arsimin, kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Përmes punës së tij si mësues, poet dhe autor, Mustafë Krasniqi la një trashëgimi të çmuar letrare e atdhetare, ndërsa dashurinë për Kosovën, Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe flamurin kombëtar e dëshmoi gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij.
Në këtë akademi u nderua kontributi i tij shumëvjeçar dhe u vlerësua figura e një njeriu që idealin kombëtar, dijen dhe kulturën i kishte vendosur në shërbim të brezave dhe të shoqërisë.
Komuna e Obiliqit shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, miqve, bashkëveprimtarëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Mustafë Krasniqin!
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
