Çdo vit, vendi ynë pranon raportin e progresit nga Komisioni Evropian që vlerëson zhvillimet në të gjithë sektorët e shtetit. Edhe pse kemi qenë nga muaji mars si qeveri në detyrë, raporti konstaton se kemi kryer detyrat tona me sukses.
Në raport konstatohet se nuk ka pasur kthim mbrapa në asnjë fushë. Ka progres në 35 fusha dhe ngecje në vetëm 3 fusha. Përkatësisht, në 20 fusha ka pasur progres të kufizuar; në 14 fusha ka pasur pak progres; në 1 fushë ka pasur progres të mirë; dhe në 3 fusha nuk ka pasur progres.
Brenda këtyre 38 fushave në 6 kemi kalim nga një fazë në tjetrën, e këto janë:
– Funksionimi i sistemit gjyqësor;
– Kapaciteti i përballimit të konkurrueshmërisë dhe forcave të tregut;
– Politikat sociale dhe punësim;
– Politikat e transportit;
– Siguria ushqimore, veterinaria dhe politikat fitosanitare;
– Marrëdhëniet e jashtme.
Raporti konfirmon përkushtimin tonë dhe mbështetjen e gjerë publike për procesin e integrimit evropian, ndërsa vlerëson njëkohësisht me progres sektorë kyç ku politikat e Qeverisë sonë janë kritikuar pa bazë solide në opinionin vendor. Të tilla janë ndër të tjera zhvillimi ekonomik, ambienti i të bërit biznes, politikat sociale, marrëdhëniet me jashtë, transformimi dixhital dhe kultura.
Falënderoj Komisionin Evropian, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe ambasadorin Orav për bashkëpunimin në avancimin e agjendës sonë evropiane. Integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet edhe vleror edhe strategjik i Republikës së Kosovës.
