Home » Demaçi: i akuzuari i pavdekshëm në Hagë!

Demaçi: i akuzuari i pavdekshëm në Hagë!

nga World Ks

Shkruan : Kimete Berisha

Demaçi: i akuzuari i pavdekshëm në Hagë!

– Adem Demaçi shfaqet si fantazmë në sallën e gjykatës së Hagës.

– Avokatët hapin dosjet:

ato janë të mbushura me fotokopje të Demaçit me kapelë, me syze dielli, dhe me legjendën:

i pavdekshëm, i akuzuar, i pakapshëm, i munguar.

– Shumë i rrezikshëm.

– Komandantët nuk thonë se ‘s’ka fajtor në UÇK’, por thonë se ‘fajtor për urdhëra të gabuar është Demaçi’

– Pas komandantëve, në sallën e gjyqit në Hagë, tani është ‘thirrur’ edhe vet Demaçi, jo fizikisht, se ai tashmë bisedon me yje, por si një figurë që e shndërruan në fajtorin e përjetshëm të akuzës.

– Për çdo pyetje që s’kanë përgjigje, përgjigja është: ‘E pyetëm Demaçin!

– Demaçi po përdoret si fantazmë për të mbuluar boshllëqet e akuzave!

– Demaçi po portretizohet nga mbrojtja e komandantëve sikur të ketë qenë një figurë misterioze, që dilte në netët pa hënë nëpër katunde dhe udhëzonte çdo komandant të UÇK-së se si të vepronte!

– Amerika që e dinte sa cigare piheshin në odën e luftëtarit, lis më lis e dru më dru, nuk e paska ditur se kush ishte njeriu që ia kushtoi jetën burgjeve për lirinë e Kosovës.

– Në Hagë, Demaçi zbulohet si më i rrezikshmi nga të gjithë komandantët, sepse është fajtor perfekt:

– nuk flet, nuk mohon, nuk ngre padi për shpifje, por e bart fajin e të gjithëve dhe nuk ka nevojë për avokat.

– Hagës i mungon substanca.

– Kur duhet të thërrasësh një të vdekur për të mbajtur gjyqin gjallë, atëherë drejtësia ka vdekur para Demaçit.

– Demaçi është ‘dëshmitar’ VIP nga varri që sheh dëshmitarët amerikanë të hutuar.

– Një avokat pyet:

‘A e dini ju se çfarë ka ndodhur në Rambuje?’,

– Demaçi hesht…sepse nuk është aty.

– Hesht, megjithëse i pari pas luftës bëri thirrje në serbisht për bashkëjetesë: “Kosova është edhe e Milovanit”, thoshte nëpër katunde serbe.

– Një tjetër amerikan kërkon foton e Demaçit në dosje, dhe kur nuk e gjen,

pyet:

– Mos është agjent sekret?

– Komandantët e UÇK-së morën guxim të tregojnë në Hagë se kush i ka urdhëruar për gjithçka:

– ‘Kur e kemi parë të gjallë, nuk e kemi kuptuar asnjë fjalë të

tij…nga frika….e tani që është i vdekur…e kuptojmë më shumë…’.

– Një tjetër amerikan pyeti me ironi:

‘A e kemi një video të Demaçit duke urdhëruar për çdo ngjarje?”

– Përgjigja e dëshmitarit amerikan:

‘S’ka nevojë për fakte, Demaçi pyetej…kështu më ka thënë Hashim Thaçi, të cilit unë i besoj, anipse fliste si komunist’!

– Sipas dëshmitarëve të komandatëve: Demaçi ishte këtu, aty, kudo… por askund.

– Në Hagë, Demaçi është i akuzuari i vetëm që nuk pyetet kurrë, por gjithçka ndodh për shkak të tij.

– Pra, Demaçi ka bërë gjithçka… edhe pse nuk ishte aty.

– Një gjyqtar pyet: “Pse askush nuk e pyeti Demaçin?”

– Përgjigja: Sepse Demaçit i pëlqeu gjithçka që nuk u bë në sallë!

– Gazetarja i pyeti amerikanët:

‘A e pyetët për çdo gjë Demaçin?

– Ata shikojnë njëri-tjetrin dhe thonë:

Po… por nuk e dinim kush ishte Demaçi.”

– Pra, kush e shpëtoi kë?

– Gjykata: “Demaçi… gjithçka, edhe pa u konsultuar.”

…dhe askush nuk e mori kurrë në pyetje.

– Një gjyqtar, provoi mikrofonin:

‘Demaçi, a dëshiron të flasësh?’

– Vetëm ekot e sallës u përgjigjen.

– Demaçi, a je aty?”

– …një echo qesharake përgjigjet: ‘Vetëm në dosje… dhe në imagjinatën tuaj’.

Dhe më pas, një shenjë nga qielli: Demaçi bën me dorë “të fala” sallës.

– Edhe për së vdekuri shqiptarët dëshmojnë rrejshëm kundër Adem Demaçit.

P.S. Një herë më ka thirrur Adem Demaçi në telefon.

Ka folur gjatë.

– Më ka thënë se i pëlqen stili im i shkrimeve dhe më ka falënderuar për një tekst timin: “Profesor Baltazar”, ku përmendeshin dëshmitarët shqiptarë kundër Grupit të Tij të demonstratave.

– Ndër të tjera, më tha: “Mua, kurrë askush nuk më ka dashur.”

– Këtë ndjesi të tij e vërtetoi Gjykata e Hagës, përmes komandantëve të Ushtrisë së Tij,

të cilët nuk thonë se s’ka fajtor, por thonë se fajtori ka vdekur dhe natyrisht, ai është Adem Demaçi.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment