KURBETI SI PLAGË SHPIRTËRORE
Ilir Levonja, “QENI I KURBETLLIUT”, Facebook, 18 prill 2016.
Poezi “Qeni i kurbetçiut” nga Ilir Levonja, është një poezi e mallit të përgjëruar dhe mallëngjimi të përhershëm. Simbol kryesor i kësaj poezie nuk është njeriu, por Qeni, i cili edhe ai i gëzohet kthimit të njeriut të vet. Kjo ndjenjë e mallit përvëlues shprehet në mënyrë prekëse dhe me ndjenjë përjetuese, edhe pse simbolika e këtij malli shprehet përmes një kafshe. Poeti arrinë të ngre simbolikën e Qenit si përjetim i thellë emocional, duke e bërë atë simbol të besnikërisë absolute, dashurisë së pashtershme dhe të bashkëbisedimit edhe në këtë poezi.
QENI I KURBETLLIUT
-Hajde mirupafshim, malet po i marr,
Veç me amanet këtë qen të vogël!
Porta e oborrit kërciti, bari i pranverës drithëroi,
Në skaj të një mendimi u ul qeni; angulliu, pikoi sytë
Deri tek mbyllja e supeve, tek torba me gjalm e shtegtarit.
Kurbeti shkëlqeu me diellin, Greqia e Eskilit, një përmendore,
Ulliri me Ulisin e lodhur nga shtegtimet; atje poshtë shtrihej
Lushnja, oborri i luleve të diellit, drita dhe vija e fushës.
– Plot pas pesëmbëdhjetë vjetësh, zilja e telefonit vringëlliu!
Nga gjumi i lodhur u çua qeni, kërceu, qosheve të oborrit
Rendi e rendi, i ri edhe plak, por me trupin si këngë.
Zërin e shokut ndjeu.
Ilir Levonja, 18 prill 2016.
***
Në poezinë “Qeni i kurbetçiut”, Ilir Levonja zhvillon një bisedë emocionale që trajton plagën e mërgimit, një realitet i dhimbshëm për breza të shumtë. Poeti, përmes figurës së Qenit, jep një pasqyrim të ndjenjës së ndarjes, pritjes dhe lidhjes së thellë me atdheun e lënë pas. Simbolikë e bukur, e përjetuar thellë dhe me ndjeshmëri të rrallë.
Qysh në titull, fjala “kurbetli”, evokon ndjenjën e ndarjes dhe të migrimit. Është simbolikë me ngarkesë emocionale për shqiptarët, pasi kurbeti ka qenë pjesë e historisë së tyre nëpër dekada.
Poeti nuk përqendrohet si vet udhëtar, por te Qeni i tij i heshtur, i cili është sinonim i besnikërisë, por si metaforë është edhe dhimbje e heshtur, jo vetëm për të, por të atyre familjarëve që mbeten pas. Në këtë poezi, Qeni bëhet zëri i heshtur, ai përfaqëson mallëngjimin si dhe dhimbjen, e qenies që mbetet pas largimit të mikut.
Njëri nga motivet prekëse të poezisë është pritja e gjatë, që në fund të fundit e heq mallin, vetëm me një zë në telefon, kurse Qeni, qëndron në oborr për 15 vjet rresht, pa ikur, pa e harruar mikun, prandaj në këtë rast ai përfaqëson më shumë se një kafshë. Në këtë rast, Qeni shdërrohet në metaforë të vendlindjes që nuk të harron, që të pret sikurse prindërit me të njëjtën dashuri. Madje edhe pas gjithë asaj kohe, ai kur e dëgjon zërin e shokut, ringjallet nga fuqia e mallëngjimit dhe e lidhjes së pazgjidhshme shpirtërore.
Pikëllimi i menjëhershëm i ndarjes përshkruhet me vargun, “Porta e oborrit kërciti, bari i pranverës drithëroi,/ Në skaj të një mendimi u ul qeni; angulliu, pikoi sytë”, do të thotë, edhe Qeni në çastin e ndarjes, e ndien thellë mungesën e shokut. Ai “angullin”, që është shprehje e dhimbjes së madhe, dhe “pikoi sytë”, që do të thotë edhe për të është manifestuar një trishtim si te njeriu. Pastaj është pritja e gjatë, në vargun, “i ri edhe plak, por me trupin si këngë”, është manifestimi tjetër që shpreh gëzimin në çastin e dëgjimit të zërit, kur “Zilja e telefonit vringëlliu!/ Nga gjumi i lodhur u çua qeni, kërceu, qosheve të oborrit/ Rendi e rendi”.
Malli dhe mallëngjimi i Qenit për shokun e tij shprehet: Me angullimën dhe sytë që pikojnë, me qëndresën në vend, për vite me radhë, me gëzimin e ringjallur, kur dëgjon zërin e shokut, që e bën sërish të lumtur. Ky mall nuk është i zakonshëm. Është mall i pastër, që përfaqëson më mirë se gjithçka tjetër lidhjen shpirtërore dhe besnikërinë që mbijetojnë përtej emigrimit të gjatë, fjalës së pa thënë dhe largësisë përtej shtat maleve?!…
Në poezi ka rëndësi kontrasti në mes botës së mërgimit dhe oborrit të fshatit, që mbetet i njëjtë, me barin e pranverës dhe portën që kërcet. Pastaj, Greqia, vendi i Eskilit dhe Ulisit, këtu përfaqësojnë një botë mitike, por nuk përjetohet ngrohtësia e oborri me “lule dielli” dhe me Qenin që për aq vite i heshtur pret. Ndërsa, emocioni që na shfaqet nëpërmes figurës së Qenit që angullin, i cili ulet në “skaj të një mendimi”, i përlotur dhe i heshtur. Kjo figurë është jashtëzakonisht prekëse dhe njerëzore. Ai ndjen, kujton, pret. Në fakt, ai bëhet një pasqyrë e ndjenjave që njeriu i kurbetit shpesh i shtyp. Në heshtjen e tij, ai bëhet zë i kujtesës, i mallit dhe i besnikërisë që nuk zbehet.
Në poezinë “Qeni i kurbetçiut” të Ilir Levonjës, metaforat dhe simbolika luajnë një rol thelbësor në ngritjen e mesazhit poetik nga një histori e thjeshtë në një meditim të thellë për mërgimin, mallin, mallëngjimin, për kujtesën dhe lidhjen me vendlindjen, prandaj Qenin e ndeshim si metaforë por edhe si simbol, sepse Qeni është qendra e poezisë dhe një nga metaforat më të fuqishme të saj. Në këtë poezi, ai bëhet simbol i vendlindjes, i kujtesës, i besnikërisë dhe i dashurisë që nuk zbehet as me kohën dhe as me largësinë. Kjo “metaforë e shpirtit të atdheut”, ruan kujtimin e atij që është “simboli i njerëzve të mbetur pas”, qofshin ata prindër, familjarëve, a farefis. Metaforën dhe simbolin i gjejm në vargjet, “Porta e oborrit kërciti, bari i pranverës drithëroi”, varg me simbolikën e ndarjes, po ashtu edhe vargjet, “Në skaj të një mendimi u ul qeni”; “Kurbeti shkëlqeu me diellin, Greqia e Eskilit, një përmendore”; “Plot pas pesëmbëdhjetë vjetësh, zilja e telefonit vringëlliu!”; “Zërin e shokut ndjeu”, etj. në nuancë janë vargje që shprehin dhimbjen dhe mallëngjimin, e në të njetën kohë janë metafora si dhe simbolikë që do të marrin epitetin e përjetimit të thellë.
Kështu si është poezia me këtë figuracion dhe simbolikë, shpreh historitë e mërgimtarëve, dhe si meditim poetik për vendlindjen dhe lidhjet shpirtërore të cilat nuk i zbeh as koha, as largësia. Poezia përcjell një mesazh të fuqishëm, se lidhjen e vërtetë nuk e zbeh koha, as largësia. Në anën tjetër ëndërra, kujtesa dhe dashuria për vendlindjen mbeten ndjenja aktive, edhe në heshtje, por edhe në pritje. Edhe poeti arrinë ta artikulojë dashurinë shpirtërore që nuk e braktis kurrë vendin ku i ka rrënjët.
Si përfundim: “Qeni i kurbetçiut” është poezi që ngjall emocion të thella, dhe në mënyrë të ndjerë zgjon dhimbjen dhe mallin për atdheun. Përmes një figure sa të thjeshtë, aq edhe të ngarkuar me ndjenjë njerëzore, Qeni, në poezinë e Ilir Levonjës, na kujton se vendi ynë edhe kur largohemi, na pret gjithmonë me të njëjtin shpirt. Sigurisht poezia është strukturuar si e tillë për të përquar këtë dashuri për vendlindje, dhe për ti shpjeguar lidhjet me Atdheun, të cilat nuk mund t’i shuan as koha e as largësia.
St. Gallen, prill 2016,
E përpunuar, në Verë 2025.

