Fazë të re e kapitull të ri nuk mund të ketë në Obiliq me kryetar të vjetër. Të dielën e 12 tetorit nuk do të keni dilema se çka është e dobishme, e nevojshme dhe e drejtë për Obiliqin.
Me kandidatin tonë Halil Thaçi në krye të komunës do të ndërtojmë shkolla të reja, çerdhe për fëmijët, mësim gjithëditor, QKMF-në moderne, do të fuqizojmë bujqësinë me 1 milion euro subvencione të përvitshme për fermerët, me sisteme ujitjeje e tregje lokale, do të sigurojmë ngrohjen qendrore, e do të investojmë në ndërmarrjen publike “Kastrioti” për pastrim, mirëmbajtje dhe gjenerim të vendeve të reja të punës.
Mirëqeverisja lokale do të jetë plotësuese e politikave tona qendrore. Në këto katër vite, nga niveli qendror kemi jetësuar ndryshime që duken, që maten dhe që ndihen nga qytetarët. KEK-ut i janë shtuar 745 punëtorë të rinj, prej të cilëve mbi 400 apo më shumë se gjysma e tyre janë banorë të Obiliqit. Ky inkuadrim i banorëve të Obiliqit në KEK-un tonë që e mban krejt Kosovën me energji, nuk është favorizim por drejtësi.
Një tjetër projekt madhor është tashmë në proces: Kogjenerimi. Janë investuar mbi 13 milionë euro deri tani, ndërsa projekti në tërësi arrin vlerën 59 milionë euro. Me Halil Thaçin kryetar, ky projekt do të përfundojë me efikasitet, duke u siguruar që çdo shpenzim i parasë publike shkon në shërbim të qytetarëve, e jo të individëve apo interesave të ngushta.
Halil Thaçi e njeh çdo lagje e rrugë të Obiliqit. Halil Thaçi është garancia që zhvillimi i Obiliqit do të ketë fytyrë të ndershme dhe duar të pastra. Sepse kjo komunë meriton zhvillim të pastër, e jo korrupsion të ricikluar.