Home » Sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për zhvillimin e Eko – Parqeve Industriale, në mes të Republikës së Kosovës dhe IFC dhe Bankës Botërore.

Sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për zhvillimin e Eko – Parqeve Industriale, në mes të Republikës së Kosovës dhe IFC dhe Bankës Botërore.

nga World Ks

Sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për zhvillimin e Eko – Parqeve Industriale, në mes të Republikës së Kosovës dhe IFC dhe Bankës Botërore.

Fjalimi im i plotë me rastin e kësaj ceremonie:

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,

E Nderuara Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Fitore Pacolli,

I nderuar Kryetar i Komunës së Mitrovicës, z. Faton Peci,

I nderuar Kryetar i OEK, z. Lulzim Rafuna,

E nderuara znj. Carole Megevand, Menaxhere e Bankës Botërore për Kosovën,

I nderuari z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë,

Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të komunave,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,

Të nderuar përfaqësues të bizneseve,

Sot po shënojmë një moment të rëndësishëm për zhvillimin industrial të vendit, përmes nënshkrimit të marrëveshjes me Bankën Botërore dhe IFC-në për zhvillimin e Eko-zonave Industriale.

Kjo marrëveshje shënon një hap të ri në bashkëpunimin tonë për ta zgjeruar zbatimin e standardit ndërkombëtar të eko-zonave industriale, duke e krijuar një model te ri të zhvillimit te Industrise në Kosovë.

Industria e së ardhmes nuk matet vetëm me atë se sa prodhojmë, por edhe me mënyrën se si prodhojmë, sa me efikasitet i shfrytëzojmë burimet dhe çfarë ndikimi po lëmë në mjedis dhe shoqëri.

Vendosja e komponentës mjedisore në qendër të zhvillimit industrial përveç se është orientim i politikave tona zhvillimore, është domosdoshmëri për konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve tona dhe integrimin e tyre në tregjet evropiane.

Gjatë viteve të fundit Qeveria e Kosovës ka investuar në zhvillimin e parqeve industriale, në infrastrukturë dhe në krijimin e hapësirave për bizneset dhe prodhuesit vendorë. Tani synojmë ta çojmë këtë proces një hap më tej: t’i shndërrojmë këto hapësira në qendra të prodhimit të qëndrueshëm, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik e social.

Përparësitë që synojnë të ofrojnë Eko-zonat Industriale janë të shumta:

• Infrastrukturë moderne dhe e integruar, me qasje të besueshme në energji, ujë, transport dhe shërbime të përbashkëta për bizneset.

• Përdorim më efikas i energjisë dhe burimeve të energjisë së ripërtëritshme, ndërtesave me efikasitet energjetik dhe teknologjive moderne.

• Ekonomi qarkore dhe simbiozë industriale, ku mbetjet e një ndërmarrjeje mund të shërbejnë si burim për një tjetër, ndërsa energjia, uji, materialet dhe kapacitetet shfrytëzohen bashkërisht.

Ky vizion përputhet edhe me potencialin që identifikon raporti i sapopublikuar i IFC-së dhe Bankës Botërore, Kosovo: Country Private Sector Diagnostic. Raporti vlerëson se, përmes reformave të synuara në energjinë e ripërtëritshme, shërbimet e biznesit dhe prodhimin e komponentëve të ndërtimit, Kosova ka potencial të mobilizojë nga 1.2 deri në 1.5 miliardë dollarë investime private dhe të krijojë nga 61 mijë deri në 87 mijë vende të reja pune, direkte dhe indirekte, në periudhën afatmesme.

Këto mundësi kërkojnë adresimin e pengesave që sot e kufizojnë potencialin e bizneseve tona. Dhe pikërisht këtu e shohim rolin e Eko-zonave Industriale: si platforma që krijojnë kushte më të mira për investime të reja, modernizim të prodhimit dhe rritje të punësimit.

Andaj po angazhohemi ne hapat si vijon:

Së pari, do te avancojmë mënyrën e planifikimit, ndërtimit dhe menaxhimit te zonave industriale.

Një rëndësi të veçantë ne kete transformim ka ekonomia qarkore. Synojmë të kalojmë nga modeli linear i prodhimit dhe konsumit drejt një modeli ku materialet dhe burimet mbahen në përdorim sa më gjatë, ripërdoren dhe riciklohen. Përmes simbiozës industriale, ndërmarrjet brenda një zone mund të bashkëpunojnë dhe të përfitojnë nga aktivitetet e njëra-tjetrës. Mbetjet e një ndërmarrjeje mund të bëhen lëndë e parë për një tjetër. Kjo nënkupton më pak humbje, më pak ndotje, më pak kosto dhe më shumë vlerë të shtuar brenda ekonomisë sonë.

Po ashtu, zonat duhet të zhvillohen mbi bazën e specializimit dhe grupimit të bizneseve sipas sektorëve dhe zinxhirëve të vlerës – kllasteret industrial.

Kjo krijon mundësi për zhvillimin e furnizuesve vendorë dhe integrimin më të thellë të tyre në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Së dyti, eko-zonat industriale duhet të jenë instrument për mobilizimin e investimeve private dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Raporti i IFC-së identifikon prodhimin e komponentëve të ndërtimit si një sektor me potencial të veçantë për ekonominë e Kosovës.

Ky sektor përfshin prodhimin dhe përpunimin e metalit, prodhimin e dyerve dhe dritareve, mobilieve, materialeve izoluese dhe sistemeve të ngrohjes, ventilimit dhe klimatizimit.

Kërkesa në rritje për ndërtesa me efikasitet energjetik krijon mundësi të reja për prodhuesit tanë në tregjet evropiane. Sipas raportit, vetëm ky sektor ka potencial për të tërhequr nga 187 deri në 296 milionë dollarë investime private dhe për të krijuar nga 21 mijë deri në 33 mijë vende pune, direkte dhe indirekte.

Për ta realizuar këtë potencial, duhet të adresojmë sfida konkrete: furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike, kostot dhe vështirësitë e kyçjes në rrjet, procedurat e lejeve ndërtimore, qasjen në tokë industriale dhe mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Njëkohësisht, synojmë t’i bëjmë këto zona më tërheqëse për investitorët vendorë dhe ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi që kompanitë më të mëdha të shërbejnë si investitorë kyç, rreth të cilëve zhvillohen ekosisteme të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Si Qeveri dhe Ministri do të vazhdojmë edhe mbështetjen financiare për ndërmarrjet që investojnë në modernizimin e kapaciteteve prodhuese, makineri e pajisje të reja, digjitalizim dhe përmirësim të proceseve të prodhimit. Pas skemave për energji të pastër dhe efikasitet energjetik, synojmë ta zgjerojmë mbështetjen edhe për bizneset që investojnë në ekonominë qarkore, riciklimin dhe ripërdorimin e materialeve.

Së treti, duam që eko-zonat industriale të jenë hapësira të kohezionit social dhe të gjithëpërfshirjes.

Zhvillimi industrial duhet të matet edhe me mundësitë që krijon për njerëzit, familjet dhe komunitetet përreth.

Prandaj, vizioni ynë për këto zona përfshin edhe shërbime që e lehtësojnë pjesëmarrjen në tregun e punës dhe krijojnë një mjedis më të përshtatshëm për punëtorët. Në këtë kuadër do të krijojme mundësitë e kujdesit ditor për fëmijë dhe shërbimeve tjera që ndihmojnë në harmonizimin e jetës profesionale dhe familjare.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.

Raporti i Bankës Botërore evidenton se në vitin 2024 shkalla e punësimit të grave në Kosovë ishte vetëm 18.4 për qind. Ky tregues perveqse një sfide sociale, eshte një potencial ekonomik i pashfrytëzuar.

Eko-zonat do te krijojnë mundësi për mësim dual, trajnime profesionale, praktikë në ndërmarrje dhe programe të aftësimit e riaftësimit të fuqisë punëtore.

Kjo do të ndihmojë në adresimin e mospërputhjes ndërmjet aftësive që ofron sistemi arsimor dhe nevojave reale të industrisë. Përmes bashkëpunimit me shkollat profesionale dhe ndërmarrjet, duam që të rinjtë të fitojnë aftësi që kërkohen drejtpërdrejt nga tregu i punës.

Po ashtu, duam të promovojmë ndërmarrësinë dhe inovacionin, duke krijuar mundësi për të rinjtë, gratë dhe ndërmarrësit e rinj që të kenë qasje në hapësira, mentorim dhe rrjete bashkëpunimi për zhvillimin e ideve të tyre.

Së katërti, duam që këto zona të jenë pjesë e transformimit të ekonomisë sonë drejt tregjeve evropiane dhe zinxhirëve ndërkombëtarë të vlerës.

Përmes avancimit të marrëveshjeve tregtare, përfshirë CEFTA-n dhe Marrëveshjen e EFTA-s, kemi zgjeruar mundësitë për qasje në tregje të reja dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare me partnerët tanë.

Për prodhuesit që eksportojnë produkte që kërkojnë montim apo instalim, është e rëndësishme që punëtorët e tyre të mund të ofrojnë edhe shërbimet përkatëse në vendin ku eksportohet produkti.

Prandaj, po angazhohemi për lehtësimin e procedurave të lëvizjes së përkohshme të punëtorëve, në mënyrë që produktet e prodhuara në Kosovë të shoqërohen me shërbimet profesionale të instalimit dhe montimit. Synimi ynë është që prodhuesit vendorë të mos mbeten vetëm furnizues të produkteve, por të bëhen pjesë e zinxhirëve të plotë të vlerës.

Përmes partneritetit që po e formalizojmë sot me IFC-në dhe Grupin e Bankës Botërore, presim të avancojmë tri drejtime kryesore:

1. Kornizën ligjore dhe rregullative, duke përcaktuar standarde të qarta, përgjegjësi dhe modele të përshtatshme të menaxhimit të eko-zonave industriale.

2. Përgatitjen e projekteve dhe mobilizimin e investimeve, përmes vlerësimit të zonave ekzistuese, identifikimit të nevojave infrastrukturore, planeve të zhvillimit dhe studimeve të fizibilitetit.

3. Promovimin ndërkombëtar dhe tërheqjen e investitorëve strategjikë, duke identifikuar kompani që mund të sjellin në Kosova kapital, teknologji, njohuri dhe mundësi të reja për bizneset vendore.

Të nderuar të pranishëm,

Për ne, suksesi i këtij projekti do të matet me ndryshimet konkrete që do të sjellë: investimet private që arrijmë të mobilizojmë, numrin dhe cilësinë e vendeve të reja të punës, rritjen e eksporteve, përfshirjen më të madhe të grave dhe të rinjve, aftësitë profesionale që zhvillojmë dhe uljen e ndikimit mjedisor të aktivitetit industrial.

Dua të falënderoj IFC-në, Grupin e Bankës Botërore dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen, ekspertizën dhe gatishmërinë për të qenë pjesë e këtij transformimi.

Falënderoj gjithashtu kryetarët e komunave, përfaqësuesit e bizneseve dhe të gjithë partnerët që angazhohen në zhvillimin e zonave industriale në Kosovë.

Le ta ndërtojmë së bashku një model industrial ku rritja ekonomike, mbrojtja e mjedisit dhe mirëqenia sociale nuk janë tri objektiva të ndara, por tri shtylla të të njëjtit zhvillim.

Ky është vizioni ynë për Eko-zonat Industriale dhe drejtimi në të cilin duam ta zhvillojmë industrinë e Kosovës.

Ju faleminderit!

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment