Home » Rikthimi i Albin Kurtit dhe frika e sistemit të vjetër

Rikthimi i Albin Kurtit dhe frika e sistemit të vjetër

nga World Ks

Shkruan :Adem Xhemaili në faqen e tij të fcb

Unë nuk jam njeri që flet nga emocionet e ditës. Kam përcjellë situatën në Kosovë prej para luftës, gjatë luftës dhe pas saj deri sot. Kam parë si ndërtohej ky vend me mund, si shkatërrohej nga brenda nga korrupsioni, si krijoheshin klanet politike, si institucionet kapeshin, si mediat humbnin integritetin dhe si Serbia e zgjaste dorën e saj përmes Listës Serbe. Kam parë edhe si ky popull është mashtruar shumë herë nga të njëjtët njerëz që sot po kërkojnë rikthimin e pushtetit të vjetër.

Pikërisht për këtë arsye, kur dëgjova deklaratën e Vehbi Kajtazit se

“kushdo që përpiqet ta rikthejë Kurtin në pushtet është më i keq se Kurti”,

e kuptova se kjo fjalë nuk vjen nga analiza vjen nga frika. Frika e atyre që e kanë pasur Kosovën nën kontroll për dy dekada dhe e shohin se ndikimi i tyre po bie.

Unë i kam parë të gjitha: mënyrën si partitë e vjetra e trajtuan shtetin si pronë personale, si tenderët ndaheshin në tavolina të mbyllura, si mediat u bënë zgjatje e partive, si Lista Serbe u lejua të bëhet faktor vendimmarrës në politikën tonë.

Dhe për herë të parë erdhi një qeveri që nuk iu përkul askujt. As klaneve të vjetra, as grupeve kriminale, as mediave të kapura, as Listës Serbe. Kaq mjaftoi që të vihej në shënjestër.

Pse?

Sepse Kurti nuk është i kontrollueshëm.

Nuk është i shantazhueshëm. Nuk hyn në pazare.

Dhe kjo prek interesat e atyre që e kanë trajtuar Kosovën si bankomat privat për shumë vite. Prandaj sulmohet kaq fort. Jo për gabimet e tij por për atë çfarë ai përfaqëson: një thyerje të modelit të vjetër të qeverisjes.

Unë, pas gjithë asaj që kam parë, e di një gjë me siguri: rikthimi i Kurtit nuk është çështje personi, por çështje drejtimi. Është zgjedhje mes shtetit të kapur dhe shtetit normal. Mes së vjetrës që na ka zhytur në korrupsion dhe së resë që po përpiqet të pastrojë rrënjët e kalbura.

Prandaj unë e mbështes rikthimin e tij. Jo se është i pagabueshëm askush s’është. Por sepse është i vetmi që nuk e ka pranuar lojën e ndyrë politike që ka dërmuar Kosovën këto 25 vjet.

Dhe pikërisht kjo i frikëson miqtë e vjetër të sistemit, qeveritarët e dikurshëm, oligarkët, gazetarët e kapur dhe Listën Serbe: humbja e kontrollit. Humbja e privilegjeve. Fundi i një epoke që ka rënduar mbi shpinën e këtij populli.

Unë kam parë shumë në këtë vend. Mjaft për të kuptuar se rikthimi i së vjetrës është kthim prapa. Rikthimi i Kurtit, sado t’i djegë dikujt veshët, është hap përpara.

Lexim të këndshëm miq e armiq.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment