Home » Ata s’e bajnë ma barrën e vet

Ata s’e bajnë ma barrën e vet

nga World Ks

Ata s’e bajnë ma barrën e vet

Ata e kanë hujin e kalit t’lodhun.

I ka vra samari shumë herë — prej barrës së gjynaheve, fajesh, lakmie e tradhtie.

Tash, si kali që s’e mban ma peshën, shkelmojnë gjithçka që iu del përpara.

S’e durojnë as veten, as t’vërtetën, as tjetrin që s’u shkon mbrapa.

Ikni prej tyne, se të pickojnë si grerzat.

Janë si ata që s’mund të rrijnë pa u kru, se i djeg majasili i ndërgjegjjës.

Mos u hidhëroni me ta: kruerja s’asht sëmundje e lëkurës, por e shpirtit.

E kjo s’mjekohet me barna, por me pendesë e me ndjesë – që ata s’e njohin.

Janë barikadu n’kullat e fjalëve, tue kujtue se janë kapidanë.

Thonë: “S’hamë bukë me këta, s’bajmë dasma me ata”,

si me kenë n’luftë ende, pa kuptue se armiku s’asht ma jashtë, por n’vetvete.

Kanë harrue Mic Sokolin, që s’e çau gjoksin për inat, por për atdhe!

Këta e kanë çarë ndërgjegjen, jo për flamur, por për kolltuk.

Janë ngujue n’kullat prej letre të partive, e kujtojnë se janë Adem Jasharë,

por harrojnë se Ademi luftoi me shkjaun, jo me vllaun.

Sytë ua ka mjegullue krenaria e verbët,

e shqiptari iu duket si armik, vetëm pse s’mendon si ata.

Rrini anash, deri sa tu kaloi majasili e t’fshihet lama!

Se lama e njeriut, ndonjëherë, mund të jetë e djallit.

Merreni këtë nasihat njiherë e përgjithmonë:

mos u bani shërbëtor t’inatit, as t’kruerjes,

se kush kruen tjetrin për lakmi,

mbetët vetë i përvëluem prej turpit të vet!

Artisti i popullit ❤️Çun Lajçi

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment