41
Unë nuk vij
Ta di se do puthen toka dhe qielli
ta di se bota do përmbyset
nga mungesa e mallit tim,
prapë nuk vij.
Ardhja ime do të ishte fundi i pritjes,
Por pritja është gjithçka
që më ka mbetur.
Në heshtjen time ka gjurmë hëne,
në mungesën time rriten rrënjë fjalësh
që s’do t’i them kurrë.
Mos më thirr!
Unë nuk vij!
Zëri yt më vjen si një kujtim i amulltë
që ende frymon ndër damar,
por unë jam bërë si uji
nuk kthehet kurrë
në malin nga buron.
Në çdo hap
që s’e bëj drejt teje
ruaj një pjesë të shpirtit tim
të paprekur
deri në shenjtëri.
Unë nuk vij.
Jo nga krenaria,
Besom
por nga vetëdija e hidhur
se disa dashuri janë të destinuara
të ndriçojnë vetëm kur mungojnë.
