Nga : Alma Lamçja
Sot në mesditë, teksa bëja një shëtitje me mendimet e mia, sytë m’u ndalën para një vitrine në të cilën ishte e ekspozuar një çantë me ngjyrë interesante. Përpara meje u shfaq një dëshirë e vogël për çantën me ngjyrën e munguar. Mendimi i befasishëm që luhatej mes arsyes dhe dëshirës për ta pasur, u bë tundues.
Sa herë ndodh kështu, bëj një lojë të heshtur me veten, duke i vendosur vlerën time atij sendi, përpara se të më thonë çmimin.
Jam e vetëdijshme që çmimi i vërtetë nuk shkruhet në etiketa.
Futem brenda dhe filloj t’i hedh një vështrim kalimtar sendeve të ekspozuara.
Ndërkohë një klient i rregullt i dyqanit futet pas meje për të këmbyer diçka që nuk po i pëlqente më. Menaxherja (pronarja e gjësendeve) pasi ia pohoi menjëherë që mund të zgjidhte ç’të donte, i tregon që vajza pranë saj është punëtore e re dhe i ankohet që nuk po këndellet nga lodhja që i është shkaktuar prej pushimeve. Ankohet për diellin e fortë dhe ujin që e ka lodhur tej mase.
Pasi e pyeta vajzën për çmimin e çantës së ekspozuar në vitrinë, i cili nuk përkonte aspak me çmimin që ia kisha vendosur unë paraprakisht, bëj të dal nga dyqani.
– Perla i ke këto në dorë? – më drejtohet menaxherja e dyqanit.
– Jo – ia ktheva unë, janë rruaza të blera me shumicë, të cilat i kam vargëzuar vetë.
– Të pyeta se me të njëjtën ngjyrë i kam unë, por janë perla.
Më doli një e qeshur e fortë (nga ato që kam problem t’i frenoj) dhe iu drejtova këndshëm: epo i gëzofsh perlat, e dashur!
Dola, duke qenë përsëri me mendimet e mia, por tashmë në kokën time rrotulloheshin perlat.
Fjala e saj m’i riktheu kujtimet e vjetra, kur shikoja me adhurim dokumentarë me mbledhësit e perlave në det.
Çfarë misteri fshihej në guackë?!
A do të ishte një perlë e rrallë, apo thjesht një guackë e boshatisur.
E bukur kjo lojë e natyrës, ku çdo gjë që del nga thellësia është dhuratë…!
Mendova për ne, njerëzit.
Disa janë si perlat e kultivuara, të ndërtuara për sy të tjerë, të ushqyera me dëshirën për dukje, të rritura në sipërfaqe, aty ku shkëlqimi është i shpejtë por i zbrazët.
Të tjerë janë si perlat e detit të thellë: të rralla, të heshtura, të fshehura nga zhurma e botës. Nuk kanë nevojë të shfaqen, sepse drita e tyre vjen nga brenda.
Atë çast i pëshpërita vetes: thjeshtësia është perla më e çmuar. Ajo nuk kërkon krahasim, nuk ka nevojë për vitrina.
Thjeshtësia është dhurata që mbetet kur hiqet çdo maskë, kur hesht çdo zhurmë.
Kushdo që arrin ta gjej brenda vetes, nuk ka nevojë të kërkojë shkëlqime të rreme.
Në thellësinë e jetës, perla më e bukur është thjeshtësia!