Home » TAKIM ME SAMIUN QË NJË JETË IA KUSHTOI KOSOVËS

TAKIM ME SAMIUN QË NJË JETË IA KUSHTOI KOSOVËS

nga World Ks

(Prishtinë, 14 shkurt 2026. Villa “PINIKU”, Lagjja Mati…)

Pasditën e sotme e kalova me Sami R. Dërmakun, i lindur më 7.11.1948 në fshatin Shipashnicë, Komuna e Dardanës, Kosovë. Ai është inxhiniere i diplomuar i elektroteknikës. Studimet i ka përfunduar në Fakultetin Teknik dega Elektroteknikë pranë Universitetit të Prishtinës. Pos tjerash Sami Dërmaku njihet si veprimtar i çështjes kombëtare dhe njëri nga intelektualët i cili që herët e ka kundërshtuar regjimin komunist të Beogradit. Ai ishte aktiv në demonstratat e vitit 1968 në Kosovë, kur shqiptarët i kërkuan haptas të drejtat e tyre politike, arsimore dhe juridike brenda Jugosllavisë. Prandaj veprimtaria e tij sa patriotike aq edhe kombëtare, u cilësua nga sistemi dhe lakejt e tyre si veprim kundër regjimit jugosllav, andaj Sami Dërmaku është arrestuar dhe dënuar disa herë për “veprimtari siç thuhej atëherë “armiqësore”?! Me sa di, për veprimtarinë e tij patriotike, ai ka mbajtur burg politik rreth 8–9 vjet burg, në burgje dhe kazamate të ndryshme, përfshirë Prishtinën, Pejën, Zenicën dhe Sarajevën. Gjatë kohës në burg, ai mori pjesë në greva të ndryshme të urisë dhe i përballoi me sukses dhunën fizike dhe kushtet e vështira të burgimit, për shkak të qëndrimeve të tija patriotike.

Në rethana të tilla, kur qëndrimi i tij i mëtutjeshëm në Kosovë u vështirësua, në vitin 1986 ai emigroi në Zvicër, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar arrestimit dhe një dënimi të ri. Në Zvicër ai vazhdoi angazhimin politik në organizata dhe lëvizje të kohës. Me kalimin e kohës, jo vetëm në Gjenevë dhe Zvicër, por në tërë Europën dhe më tej, Samiu u bë shumë i njohur, kurse në vitin 1990, ai ishte një ndër themeltarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe u zgjodh kryetar i nëndegës së kësaj partie Gjenevë. Më 02 dhjetor 1990, ai u zgjodh Kryetar I Fondit Humanitar të LDK-së që u themelua në St. Gallen, aty ku unë isha kryetar nëndege.

Më herët ose në ndërkohë Sami Dërmaku ishte i kryetar dhe themelues i Shoqatë Kulturore “Ikballe Prishtina”, në Gjenevë si dhe ka vepruar edhe në Shoqata të tjera kulturore, humanitare dhe arsimore në të cilat mërgimtarët shqiptarë ishin të mobilizuar, dhe kanë mbështetur gjithnjë kauzat kombëtare, si dhe ka qenë shumë aktiv në formacione tushtrake në UçK, pjesëmarrës aktiv në Luftë dhe Zyrtar në dikastere të ndryshme për shtetndërtimin e Kosovës pas përfundimit të luftës.

Pos tjerash, kontributi tij shtrihet edhe në fushën letrare dhe historike, deri më tani ka botuar librat: “Eklipsimi I figures së dëshmorit”, (2015), monografinë “Selmon Sh. Dërmaku – veprimtar e humanist”, librin me poezi “Të ndriturit”, (2021) dhe librin monumental “Dëshmi kohe”, (2022), bisedë me të përndriturit: Hysen Terpeza, Kadri Halimi, Ali Aliu, Ramadan Rexha, Rexhep Bunjaku, Mulla Hamit – Sllovia – Bytyçi, Xhafer Mahmutxhiku, Isa Kastrati, Rexhep Mala, Enver Tali, Adem Dema4i, Ibrahim Pajazit Tërpeza, Osman osmani dhe Zahir Berisha, si dhe disa emisione dokumentare të emituara në Radio Kosva e Lirë dhe Radio “Zona”, libër të cilin ma dhuroi me dedikim edhe mua. Me një fjalë Sami R. Dërmaku është mozaiku i Lirisë së Kosovës, I cili në çdo kohë mund të dokumentojë për njëzit e ilegalës, të burgut, të luftës dhe paqës, të gjithë bashkëveprimtarë dhe të intervistuar me zërin e tyre orgjinal, që nga Kuvendi i Prizrenit e deri te lufta e UÇK-së. Ky botim është rëndësishëm si dëshmi faktike e historike për rezistencën kombëtare dhe për ata që u flijuan dhe vuajtën nëpër burgje jugosllave për idealet e tyre kombëtare. Intervistat radiofonike origjinale janë pjesë e Arkivit Kombëtarë të Kosovës, kurse transkriptimin dhe botimin në libër e ka realizuar Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës.

Sami R. Dërmaku, tash është në pension dhe kryesisht jeton me familjen në Gjenevë të Zvicrës dhe herëpashere vjen edhe në Kosovë, që u bë shkas edhe I takimit tone të sotëm.

Dhe si fjalë përmbyllëse e këtij takimi mund të them, se në letërsi dhe në historinë e rezistencës shqiptare, Sami R. Dërmaku, njihet dhe do të mbetët si një figurë e rrallë dhe e rëndësishme e brezit politik e intelektual, që gjithçka e shkriu për Lirinë e Kosovës!…

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment