Politikani opozitar serb, Çeromir Stojkoviq ka bërë një thirrje publike drejtuar serbëve në Kosovë, duke i ftuar ata që në zgjedhjet lokale të planifikuara për 12 tetor, të mos e votojnë Listën Serbe.
Sipas Stojkoviqit, Lista Serbe nuk përfaqëson më interesat e komunitetit serb, por është një vegël e regjimit të Aleksandar Vuçiqit, e përdorur për të ruajtur kontrollin politik edhe jashtë territorit të Serbisë.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se duke filluar nga shtatori, do të organizohen protesta të mëdha në Serbi kundër regjimit aktual.
Lista Serbe në mbledhjen e fundit nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pjesëmarrje në këto zgjedhje, por tani Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa këtë vendim e ka rikthyer në rishqyrtim. Pas kësaj, dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, janë ankuar në Gjykatën Supreme, e cila dje ka njoftuar se ka refuzuar shqyrtimin e kësaj ankese si të palejuar.
Avokati serb Stojkoviq kërkon që serbët në Kosovë të largohen nga Lista Serbe, në të kundërtën theksoi se do të braktisen nga Serbia.
“Serbët në Kosovë duhet ta dinë se nëse zgjedhin Listën Serbe, ata do të braktisen nga Serbia. Nuk do të kenë lidhje me qeverinë e re dhe politikën e ardhshme të Serbisë. Nëse votojnë për të, ata zgjedhin kriminelë, të korruptuar, kukulla të Vuçiqit, dhe ne në Beograd nuk do të tolerojmë këtë. Nëse vendosin të rrinë me kriminelë, atëherë janë të njëjtë si ata. Mesazhi im për ta është: largohuni nga Lista Serbe, lërini të fundosen bashkë me Vuçiqin dhe zgjidhni njerëz normal që duan marrëdhënie normale me Kosovën dhe Beogradin”, theksoi Stojkoviq.
Politikani serb, Çedomir Stojkoviq thekson se regjimi aktual serb nën udhëheqjen e presidentit, Aleksandër Vuçiq po mundohet ta rikthej kontrollin mbi shtetin dhe qytetarët.
Nga muaji shtator, Stojkoviq paralajmëroi protesta të mëdha kundër regjimit serb.
“Situata është saktësisht ashtu siç e kam pritur, sepse regjimi në fakt tashmë është ndjerë, kështu që regjimi nuk e kontrollon më Serbinë dhe po përpiqet të rikthejë kontrollin mbi shtetin dhe qytetarët. Për këtë arsye, Vuçiq tani po përdor çdo forcë që ka në dorë për të ndaluar protestat, për të mbjellë frikë tek qytetarët, në mënyrë që qytetarët, nga frika, të ndalojnë së protestuari. Por kjo nuk do të ndodhë. Ai e di që gjithçka do të përshkallëzohet, se do të kemi një demonstratë të madhe nga shtatori kur njerëzit të kthehen dhe t’i çojnë fëmijët në shkollë. Nga ajo pikë, do të kemi protestë të madhe dhe përplasje të forta me forcat e Vuçiqit. Vuçiqi e di këtë dhe po përpiqet tani ta parandalojë duke mbjellë frikë tek qytetarët”, shprehet avokati serb.