Punoj me shpirt rrezatoj me zemër
sepse pozitiviteti është forca ime e përditshme ….
Agimi nuk harron
Ai vjen pa zhurmë,
si mbret që nuk e shpall ardhjen,
por thjesht shfaqet,
dhe gjithçka dridhet në ndriçim.
Agimi nuk harron
as çka u tha me lot në mesnatë,
as çka u puth vetëm në mendje.
Ai i di sekretet e natës,
por nuk i tradhton,
veç i ndriçon ngadalë, si të pyeste:
“Je gati t’i shohësh me sy të hapur?”
Ai shtrin dorën mbi gjërat e pathëna,
i merr në dritën e tij të bardhë
dhe zgjedh:
çfarë të mbetet ëndërr,
e çfarë të kthehet në realitet.
Nuk gjykon, por vendos.
Nuk shemb, por larton.
Sepse ai e di:
jo çdo ndjenjë duhet t’i përkasë ditës,
e jo çdo sekret mund të jetojë në dritë.
Agimi ecën mbi errësirën e bërë shtrat,
me dinjitetin e një mbreti
që zgjon botën,
por lë në heshtje gjithçka që zemra
ende s’mund ta thotë.
Muza mbetet ardhmëri⚘️
N*J 102