Home » Plani amerikan për paqen Ukrainë–Rusi:

Plani amerikan për paqen Ukrainë–Rusi:

nga World Ks

Shkruan: Hafiz Gagica

Fundi i një Iluzioni politik dhe mësim për gjeneratën e re evropiane

Lufta në Ukrainë i ka tronditur themelet e sigurisë evropiane dhe ka kushtuar shifra marramendëse humbjesh në njerëz, me qindra miliarda euro të derdhura nga vendet e BE-së dhe SHBA-të për mbështetje ushtarake, ekonomike dhe humanitare.

Ndërkohë, populli ukrainas ka paguar çmimin më të rëndë: humbjen e mijëra jetëve të njerëzve, shkatërrimin e qyteteve, deportimet masive dhe aneksimin e territoreve strategjike që mund të mos i rikthehen kurrë më. Përballë kësaj tragjedie të zgjatur që ka rrënuar jetë e shtet, u bë e qartë se udhëheqja e Kievit, me në krye presidentin Volodymyr Zelensky, nuk arriti ta fitonte luftën. Ajo mbeti e ngujuar mes retorikës mbrojtëse dhe real-politikës së pamëshirshme.

Në këtë kontekst duhet parë edhe agresori rus.

Ukraina po përballet me një Rusi të udhëhequr nga despoti Vladimir Putin – një sundimtar që ka vendosur të qëndrojë deri në vdekje në krye të një regjimi diktatorial dhe represiv. Ai nuk njeh gjuhë tjetër përveç dhunës dhe agresionit. Nën drejtimin e tij janë marrë jetët e mijëra civilëve të pafajshëm, fëmijë, gra dhe të moshuar, viktima të një lufte të padrejtë që synon nënshtrimin e një shteti fqinj. Putin e njeh vetëm forcën, dhe këtë forcë mund t’ia tregojnë vetëm SHBA-ja dhe aleatët e botës demokratike.

Ndërsa, Zelensky, i ardhur nga bota e aktrimit dhe komedisë, nuk arriti ta shkëpuste plotësisht këtë stil, as atëherë kur u vendos në krye të shtetit në kohën më të vështirë të historisë së modernizuar ukrainase. Pikërisht kur Ukraina kishte nevojë për mençuri, maturi dhe strategji afatgjatë, presidenti i saj shpeshherë u soll si në prova filmi – me simbolika, video-mesazhe emocionale dhe gjeste të dizajnuara për publik, por jo domosdoshmërisht për shtetin.

Në takimet e para në Shtëpinë e Bardhë, në samitet evropiane dhe në adresimet ndërkombëtare, ai u përpoq ta mbante Ukrainën në qendër të vëmendjes globale, por nuk kuptoi se perceptimi nuk mund të zëvendësojë dot realitetin politik.

Evropa nga ana e saj u tregua e papërgatitur dhe e papjekur: mbështeti Ukrainën pa e detyruar të mbante zgjedhje të rregullta dhe pa garantuar se Kievi kishte një drejtim të ri legjitim e institucional. Ishte një gabim i përsëritur, i ngjashëm me përvojat e mëparshme të BE-së në Bosnje pas Dejtonit, kur investimi në liderë të pambështetur institucionalisht prodhoi pasiguri dhe zhgënjim.

Ndërkohë, SHBA-të – veçanërisht nën administratën e presidentit Trump – e kishte bërë të qartë që në fillim se paqja nuk fitohet me iluzione, por me pranimin e realitetit në terren. Kjo ka qenë logjikë konstante e diplomacisë amerikane, nga Dejtoni i 1995-s deri te marrëveshjet e fundit në Lindjen e Mesme: faktet përcaktojnë marrëveshjet, jo dëshirat. Ukraina nuk e pranoi këtë leksion. Në vend se të kërkonte një marrëveshje në fazat e hershme të luftës, ajo u mbështet te ideja se mbështetja e pakushtëzuar e Perëndimit dhe imazhi i një presidenti-simbol do të mjaftonin për të përmbysur avantazhin rus. Realiteti e tregoi të kundërtën.

Edhe Evropa sot e sheh qartë se u fut në një garë që nuk mund ta fitonte. Shtetet që e mbështetën Ukrainën pa kushte – sidomos ato që iu dorëzuan narrativës emocionalo-mediatike të Zelenskyt – tani po e kuptojnë se pa planin amerikan dhe pa negociatat direkte SHBA–Rusi nuk ka pasur kurrë asnjë rrugëdalje reale. Prandaj, plani i ri i Uashingtonit pritet të përmbyllë një kapitull të dhimbshëm, por edhe të vlefshëm si mësim për gjeneratat e reja politike evropiane.

Në këtë panoramë duhet parë edhe qëndrimi i Kosovës.

Prishtina zyrtare, pa një analizë të thelluar dhe pa një strategji të qartë të reciprocitetit diplomatik, zgjodhi ta mbështesë Zelenskyn pa kushte – pavarësisht se Ukraina kurrë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe as ka sinjalizuar gatishmëri për ta bërë këtë. Ky entuziazëm i pamenduar është shembull i mënyrës sesi emocionet dhe impulset politike mund të zëvendësojnë interesin shtetëror; një gabim që vendet e vogla nuk duhet ta lejojnë kurrë. Diplomacia e Kosovës duhet të mbështetet në reciprocitet, sepse ndryshe rrezikon të shpenzojë energji aty ku nuk ka reciprocitet të vërtetë.

Plani amerikan po i rikthen aktorët në tokë. Ai është dëshmi se politika nuk është skenë filmi; është art i përgjegjësisë dhe i maturisë, sidomos në kohë lufte. Ai është paralajmërim për liderët që mendojnë se mund të ndërtojnë shtete me video, me retorikë emocionale dhe me aktrim politik. Ai është kujtesë për vendet e vogla si Kosova, se ekzistenca shtetërore mbahet me aleanca të qëndrueshme, me pragmatizëm dhe me vizion – ashtu siç u ndërtua edhe rrugëtimi i saj drejt lirisë dhe pavarësisë, nën mbështetjen e mikut tonë strategjik: Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sot, kur realiteti i krijuar në Ukrainë po pranohet nga të gjitha palët, kur Evropa ka paguar shumë dhe nuk ka përfituar asgjë, dhe kur SHBA po rikthen gravitetin e saj diplomatik, është momenti i duhur që edhe Kosova të mësojë nga ky zhvillim.

Shteti ruhet me vizion, jo me improvizime.

Liria ruhet me aleatë, jo me retorikë.

Dhe politika e vërtetë kërkon maturi, jo aktrim.

Hafiz Gagica

Stuttgart, 22.11.2025

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment