Graboc, Fushë Kosovë – Pas vendosjes së rezervuarit të ujit dhe pak para përfundimit të rrjetit të ujësjellësit në Bardh të Madh, Lismir dhe Mesbardh, sot filluam punimet edhe në Graboc.
Për herë të parë, rreth 1,000 banorë të Grabocit do të kenë ujë të pijshëm në shtëpitë e tyre, pasi që këto punime do të përfundojnë deri në fund të këtij viti.
Ky projekt, me vlerë prej 343 mijë euro nga Ministria e Ekonomisë, është pjesë e një investimi më të madh prej 3.7 milionë euro nga Qeveria e Kosovës, përmes MMPHI-së, MAPL-së dhe Ministrisë së Ekonomisë, që do të sigurojë ujë të pijshëm për mbi 10 mijë qytetarë në shumicën e fshatrave të Komunës së Fushë-Kosovës.
Në qeverisjen tonë, premtimet për ujësjellës janë kthyer në investime reale. Vetëm në dy vitet e fundit, në nivel vendi, vetëm Ministria e Ekonomisë ka ndarë mbi 10 milionë euro dhe po zbaton projekte të ujësjellësit, sepse dinjiteti dhe jeta me kushte të barabarta nuk janë privilegj, por detyrim institucional.
Ky angazhim do të vazhdojë, derisa uji i pijshëm të jetë i garantuar në çdo shtëpi dhe çdo biznes në vend.
Bashkë me drejtorin e NJPMNP, Valon Prebreza, dhe kryeshefin e KRU Prishtina, Arsim Fetahu, ishim aty për të uruar këtë fillim të punimeve dhe për të parë nga afër këtë proces.


