Home » “Njeriu i arsyeshëm e përshtat veten sipas botës, ndërsa i paarsyeshmi tenton ta përshtatë botën sipas vetes.

“Njeriu i arsyeshëm e përshtat veten sipas botës, ndërsa i paarsyeshmi tenton ta përshtatë botën sipas vetes.

nga World Ks

Nga : Mimoza Rexhvelaj

“Njeriu i arsyeshëm e përshtat veten sipas botës, ndërsa i paarsyeshmi tenton ta përshtatë botën sipas vetes. Nga kjo rrjedh se gjithë progresi varet nga njerëzit e paarsyeshëm.” Kjo thënie e George Bernard Shaw nuk është një lavdërim për kokëfortësinë, por një vëzhgim i ftohtë mbi mënyrën se si lëviz historia.

Në pamje të parë duket sikur përparimi duhet të vijë nga arsyeja, nga maturia, nga aftësia për t’u përshtatur, por Shaw e përmbys këtë pritshmëri dhe na detyron të shohim më thellë.

Njeriu i arsyeshëm është ai që e kupton botën ashtu siç është dhe lexon rregullat, i pranon kufijtë dhe mëson të jetojë brenda tyre. Ky njeri ndërton stabilitet. Shoqëritë mbështeten mbi të, sepse ai garanton vazhdimësi dhe rend.

Megjithatë, arsyeja e tij është gjithmonë e lidhur me realitetin ekzistues dhe nuk e sheh botën si problem për t’u zgjidhur, por si kusht për t’u menaxhuar.

Përballë tij qëndron njeriu i paarsyeshëm dhe jo si një figurë e pamend, por si figurë e papajtueshme, që refuzon ta pranojë botën si përfundimtare.

Pyetjet e tij nuk janë praktike, por sfiduese dhe që shkojnë përtej…

Pse duhet të jetë kështu?

Pse jo ndryshe?

Këto pyetje e nxjerrin shoqërinë nga qetësia e saj dhe e fusin në krizë dhe pikërisht tek kjo krizë gjendet hapësira ku lind ndryshimi.

Progresi, në këtë kuptimin e parë nuk është produkt i pajtimit, por i përplasjes.

Çdo ide që ka ndryshuar rrjedhën e historisë ka qenë fillimisht e papranueshme, ka sfiduar norma, ka rrezikuar rendin dhe ka tronditur sigurinë e përgjithshme.

Vetëm më vonë, pasi ka provuar vlerën e saj, është quajtur arsye bindëse.

Megjithatë, jo çdo paarsyeshmëri prodhon progres. Këtu qëndron dallimi thelbësor. Paarsyeshmëria që shtyn përpara ka një vizion më të madh se vetja. Nuk kërkon kaos për hir të kaosit, por ndryshim për hir të një bote më të drejtë ose më kuptimplote.

Kur refuzimi për ndryshim është bosh, ai shkatërron. Kur refuzimi është i menduar, ai transformon…

Thënia e Shaw më kujton se historia nuk ecën përpara falë atyre që përshtaten më mirë, por falë atyre që guxojnë të mos përshtaten.

Bota mbahet në këmbë nga arsyeja, por ndryshohet nga guximi për ta sfiduar atë.

Progresi, në fund të fundit është gjithmonë akt i dikujt, që nuk pranon ta quajë realitetin një përgjigje përfundimtare.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment