Ekziston një rregull i pashkruar, i cili përsëritet aq shpesh sa rrallëherë problematizohet sa duhet. Ky rregull qëndërzohet në trajtimin preferencial të mediave ndaj politikanëve burra në krahasim me politikanet gra. Është një cikël vicioz, me rregulla hermetike, që është e vështirë të thyhet, të copëtohet e të shkërmoqet.
Autore: Arta Avdiu
Politikanët burra trajtohen më ndryshe e më favorshëm. Qasja në media, veçanërisht në kohën “prime”, është më e lehtë për burrat sesa për gratë e angazhuara në politikë. Hendeku mes sekseve, aq i vërejtshëm në shoqërinë tonë, mirëmbahet edhe nga mediat, duke i trajtuar në mënyrë diferenciale burrat e gratë në politikë.
Një qasje e tillë vërehet edhe në pyetjet që shtrojnë gazetarët, në termat që përdorin analistët karshi dy sekseve në politikë. Hiç më larg se dje, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u përball me një pyetje nga një gazetar, i cili shtroi një dilemë që më shumë ishte një gjysmë konstatim. Pyetja lidhej me argumentin e partive opozitare, i artikuluar nga gazetari, se Osmani i ka ndihmuar Albin Kurtit e VV-së, duke e caktuar 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të parakohshme.
Argumenti i opozitës – dhe në këtë rast pyetja e gazetarit – theksonte se në atë periudhë shumë mërgimtarë kthehen në Kosovë për pushime. Duke e ditur performancën e mirë të VV-së në mërgatë, data 28 dhjetor ishte favorizim për partinë e Kurtit. Deri këtu, asgjë serioze. Fjalia e mëpasme, që ishte edhe një pyetje direkte, ia ndërroi tërësisht konotacionin pyetjes. Gjatë pyetjes, gazetari përdori edhe togfjalëshin “me apo pa vetëdije po i shërbeni Vetëvendosjes”.
Përmes pyetjes me nëntekst seksist, Osmani u reduktua në një “shërbëtore” që “pavetëdijshëm” i shërben një burri, që në këtë rast ishte Kurti. Madje, Osmani u portretizua sikur të ishte e pavetëdijshme të rrokte “shërbëtorinë” e saj. Pra, u sulmua autonomia intelektuale e Osmanit dhe integriteti i saj si presidente.
Me të drejtë, presidentja Osmani ndërhyri rrufeshëm, duke e theksuar nëntekstin seksist të pyetjes. Osmani veproi njësoj siç kishte vepruar vite më parë ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, e cila ishte pyetur në mënyrë seksiste nëse planifikonte të mbetej shtatzënë gjatë mandatit.
Reagimi i Osmanit ishte i qartë, i saktë dhe monumentalisht shpërfaqës i seksizmit pas pyetjes:
“Kurrë nuk do t’ia kishit bërë këtë pyetje një burri.”
Dhe kjo është e vërtetë. Asnjë president burrë nuk do të pyetej në atë formë, as me atë nëntekst, as me atë dyshim të tërthortë mbi integritetin dhe pavarësinë e tij. Aq më pak, të cilësohej si “shërbëtor i pavetëdijshëm”.
E njëjta mendësi doli në pah edhe me etiketimet që janë përdorur së fundi në diskursin publik. Termat “noterja e Kurtit” apo madje edhe “sekretarja e Kurtit”, të përdorura nga analistë të afërt me opozitën, reflektojnë qartazi një qasje denigruese ndaj grave në politikë. Janë shprehje që nuk kanë të bëjnë me kritikën politike, por me një mentalitet të vjetruar ku gratë shihen gjithmonë nën hijen e burrave – madje edhe kur pozitat e tyre janë më të larta.
Kjo gjuhë më shumë tregon për analistët e gazetarët sesa për presidenten Osmani. Duke e akuzuar si “shërbëtore”, “notere” e “sekretare”, këta burra analistë shpërfaqin seksizëm, paragjykim gjinor e sulm mbi baza gjinore. Në universin e tyre, gruaja nuk mund të jetë autonome në politikë, nuk mund të jetë subjekt vendimmarrës, por vetëm një objekt që detyrohet të veprojë sipas kërkesave të shefit të saj, pra një burri të fuqishëm. Gruaja politikane, në këtë interpretim provincial, nuk është mjaftueshëm politikane, sepse është grua. Është vetëm një figurante, e cila luan një rol statik në një skenar të parashkruar nga një regjisor burrë.
Këto raste nuk janë të izoluara. Ato pasqyrojnë një mendësi seksiste që ende e përshkon një pjesë të mediave dhe opinionit publik, ku gratë në pushtet vlerësohen jo mbi punën e tyre, por mbi raportet e supozuara me figura mashkullore.
Në një shoqëri që synon standarde demokratike, respekton institucionet dhe barazinë gjinore, ky lloj diskursi duhet të sfidohet, të kritikohet dhe të çrrënjoset. Natyrisht, si një grua që beson në demokracinë, ku mediat luajnë rol edhe emancipues përveç informues, shtypi i lirë duhet të kontribuojë në sheshëzimin e hendekut gjinor. Mbi të gjitha, media duhet t’i luftojë paragjykimet gjinore dhe hapi i parë është ndalimi i shtruarjes së pyetjeve me nëntekste seksiste. Posaçërisht ne gazetaret gra duhet çdo ditë të luftojmë që ky cikël vicioz të tejkalohet, duke u shndërruar në një rreth virtuoz
