Nga Agim Vuniqi
Kosova ka qenë dhe mbetet një terren i destabilizuar nga përbrenda dhe i kontestuar nga jashtë. Fajtorë për këtë nuk janë vetëm kundërshtarët historikë – Serbia dhe aleatët e saj – por edhe ata që, të veshur me kostumin e përfaqësimit politik, e kanë përdorur pozitën për mashtrime të rënda, për krime kundër interesit kombëtar dhe për vendime të papërgjegjshme që kanë cenuar integritetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Një vijë e trashë mashtrimesh nga viti 1989 deri më sot
Viti 1989 shënon aktin më të ulët të kapitullimit institucional të Kosovës: delegatët shqiptarë të Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, nën një presion të ashpër politik dhe me një mungesë të theksuar dinjiteti e guximi, abstenuan ose heshtën përballë dhunimit të Kushtetutës së Kosovës. Vetëm 12 delegatë votuan kundër amendamenteve që shuanin praktikisht autonominë krahinore. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Vukashin Jokanoviq, i futi në rend dite pa diskutim publik amendamentet që i jepnin Kuvendit të Serbisë të drejtën për të ndryshuar kushtetutën pa pëlqimin e Krahinave Autonome.
Këto “huqje” me vetëdije, të cilat në rrethana të tjera do të kishin sjellë përballje me drejtësinë për përvetësim të kompetencave kushtetuese dhe për falsifikim votash, vazhduan edhe në periudhat e mëvonshme të zhvillimeve “demokratike”. Ato nuk ishin vetëm simptoma të një krize politike, por dëshmi e vazhdimësisë së klasës politike klienteliste që shitet për interesat personale, partiake e ndërkombëtare, duke e lënë popullin pa mbrojtje institucionale.
Gjykata Speciale, një kurth i ndërtuar me votat e frikës dhe të manipulimit
Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë u miratua në Kuvendin e Kosovës me nxitje dhe presion të fuqishëm ndërkombëtar, kryesisht nga BE-ja dhe SHBA-ja, në bazë të raportit famëkeq të Dick Marty-t. Këtë votim e nxitën partitë që sot përpiqen të lajnë duart nga pasojat e saj, duke e relativizuar përgjegjësinë. Fjalët që dëgjojmë shpesh: “Po t’mos votohej në Kuvend, do ta themelonte OKB-ja një gjykatë më të rëndë” janë një justifikim i rremë. Kosova, si shtet joanëtar i OKB-së, nuk mund të bëhej objekt i një gjykate të formuar nga Këshilli i Sigurimit, pa pëlqimin e saj.
Falsifikimi i konsensusit publik për votimin e Gjykatës Speciale është i krahasueshëm me votimin e vitit 1989: në të dy rastet, delegatët dhe deputetët u përkulën para presioneve dhe mashtrimeve. Në vitin 1989 përballë regjimit serb – në vitin 2015 përballë “dashamirëve ndërkombëtarë”, që në emër të drejtësisë selektive sanksionuan një segment të caktuar të historisë së UÇK-së.
Thaçi nga “George Washingtoni’ i Kosovës i përballur me gjykimin evropian te Gjykatës Speciale
Nga momenti kur Hashim Thaçi u bë bashkëbiseduesi kryesor i Perëndimit për të ardhmen e Kosovës, ai u shndërrua në simbolin e tranzicionit të elitës së luftës në elitë politike. Takimet me Pompeon, Boltonin dhe vet presidentin Trump e konfirmojnë këtë përkrahje. Letra e presidentit Trump për Thaçin dhe Vuçiqin ishte një akt i paprecedent që i jepte legjitimitet përpjekjes për marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.
Por që nga publikimi i raportit të Dick Marty-t, e deri tek aktakuzat formale të ngritura më 2020, Thaçi u përball me një fushatë të egër të delegjitimimit. Raporti e përshkruan atë si “bosin e grupit të Drenicës”, një sipërmarrje kriminale e përfshirë në trafik droge, vrasje, tortura dhe madje trafik organesh – akuza që e barazonin Kosovën me skenare horrore të trillimeve ballkanike.
Ndonëse raporti nuk ofroi prova të dorës së parë, por u mbështet në burime të inteligjencës të paidentifikuara dhe rrëfime të personave të panjohur – ai u bë themel për ndërtimin e një tribunali hibrid që sot gjykon komandantët e luftës si figura të krimit.
Ironia e madhe qëndron në faktin se vet SHBA – aleatja më e madhe e Kosovës – bashkëfinancoi dhe mbështeti strukturat e Gjykatës Speciale, me prokurorë amerikanë si Clint Williamson dhe David Schwendiman në krye të hetimeve. Kështu, Thaçi kaloi nga “George Washington-i i Kosovës”, siç e quante Biden dikur, në të akuzuar për krime kundër njerëzimit – në sallat e Hagës që kanë gjykuar edhe kriminelët e Milosheviqit.
Rrënimi institucional dhe “qeveritë e heshtjes”
Gjykata Speciale është një pasqyrë brutale e dështimeve të klasës politike të Kosovës. Ajo nuk u votua vetëm nga frika apo nga mashtrimi, por edhe nga llogaritja cinike se “dikush tjetër do të përgjigjet”. Të gjithë ata që ngritën dorën për të, shpresonin që “këmbët e arushës” do t’u mbeteshin në duar të tjerëve.
Falsifikimi i votave për demarkacionin me Malin e Zi dhe për “Zajednicën” ishin po ashtu vazhdimësi e këtij mentaliteti mashtrues dhe të papërgjegjshëm. E njëjta mendësi që lejoi zhdukjen e mbi 10 mijë hektarëve të territorit, lejoi edhe falsifikimin e fakteve për luftën çlirimtare, duke e barazuar atë me aktet kriminale të regjimit serb.
SHIK-u, si instrument i fshehtë i kontrollit politik dhe dhunës institucionale, ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë degradim. Si një strukturë e padeklaruar, që vepronte përtej ligjit dhe me mjete të errëta, ai prodhoi figura politike, vrasës, dëshmitarë të rremë dhe frikë sociale – që të gjitha ndihmuan për të krijuar një mit të kontrollit të plotë mbi drejtësinë, ekonominë dhe politikën.
Gjyqi në Hagë si skenar për ndarjen e Kosovës
Përpjekja për të ndëshkuar vetëm një segment të luftës së UÇK-së është pjesë e një skenari më të gjerë për relativizimin e krimeve serbe dhe për përgatitjen e terrenit për një marrëveshje me pasoja të rënda për sovranitetin territorial të Kosovës.
Raporti i Dick Marty-t, i ndihmuar nga gazetari britanik dhe agjenturat e infiltrimit nga Rusia dhe Serbia, ka shërbyer si spin politik për të zhvendosur vëmendjen nga dështimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Në vend se të mbështesin ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në Kosovë, diplomatitë evropiane janë fokusuar në ndëshkimin simbolik të një klase politike që vet ata ndihmuan ta ndërtojnë.
Drejtësia e vërtetë kërkon guxim dhe vetëdije historike
Nuk ka paqe të qëndrueshme mbi falsifikime dhe mashtrime historike. Deputetët që kanë votuar për tradhti kombëtare, qeveritë që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme dhe diplomatë që kanë heshtur para shantazhit – të gjithë mbajnë përgjegjësi. Kosova nuk do të ndërtojë shtet me themel mbi iluzione, por me zbardhjen e të vërtetës së plotë dhe me drejtësi të barabartë.
Gjykata Speciale duhet të hetojë, por jo të ndëshkojë një anë. Kuvendi duhet të rishqyrtojë legjitimitetin e vet si institucion përfaqësues. Dhe qytetarët duhet të refuzojnë njëherë e mirë politikanët që votojnë ndryshe nga ajo që premtojnë. Historia nuk harrohet – dhe Kosova nuk duhet të pranojë të jetë përrallë e rrejshme për konsum ndërkombëtar.