Home » Nëse je thyer në mijëra copëza, gëzohu!

Nëse je thyer në mijëra copëza, gëzohu!

nga World Ks

Shkruan Luljeta Aliu

Tani mund ta rindërtosh vetveten. Le të jetë një fortesë e papushtueshme.

Themelet ndërtoji nga blloqe vetrespekti, blloqe që peshojnë më shumë se ato të piramidave të Egjiptit.

Vendosi me kujdes nëpër të gjitha gjurmët e dhimbjeve tua!

Mbi çdo vuajtje që jeta të ofroi si mësim, vendose një bllok vetrespekti!

Vetrespektin e ke fituar nga sfidat, dhimbjet e vuajtjet e kaluara me sukses. Atë e ke merituar, sepse përkundër përvojave të mundimshme, ke arritur të ruash besimin në të mirën. Duhet të jesh mirënjohëse ndaj blloqeve të themelit tënd, bekoji ato!

Vazhdo me blloqe sinqeriteti e përkushtimi! Pastaj me empati. Drejtësi. Tolerancë. Mirëbesim. Përgjegjësi.

Në kulm vendose virtytin më të shenjtë: gadishmërinë të sakrifikohesh për liri.

Falënderoju vetes për kultivimin e këtyre virtyteve që kërkojnë një masë disipline që rrallëkush e ka!

Kur të kesh mbaruar ndërtimin, fortesa jote, vetja jote, do të jetë mirësi.

E për çfarë të duhet mirësia? Ajo i duhet botës.

Ajo nevojitet që të ofrojmë dashuri. Sidomos aty ku mungon.

Prandaj, kur ndërton fortesën, rëndësinë kryesore duhet t’ua kushtosh dritareve! Ato ndërtohen nga dashuria. Nuk ndërtohen nga blloqet, por nga mungesa e tyre.

Dritaret e fortesës janë lidhja që ke me botën, me të tjerët.

Nëse të gjitha virtytet janë blloqe të forta masive, dashuria është ajri që i përkëdhelë ato.

Dashuria frymon përmes dritareve të fortesës tënde.

Le të jenë dritare të ndritshme!

L.A. 08.08.25

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment