Në ndërtesën e Qeverisë, sot u lansua skema e granteve për ndërmarrjet prodhuese, me përkrahjen e partnerëve tanë nga Qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut përmes Agjencisë së Zhvillimit të Luksemburgut, LuxDev, në vlerë totale prej 1 milion euro.
Kjo skemë ka si shtylla përkrahjen e sektorit privat, në veçanti për prodhuesit, rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve në tregun vendor dhe ndërkombëtar, si dhe rritjen e efiçiencës së energjisë, e cila gjithashtu ndërlidhet ngushtë me uljen e kostos së prodhimit.
Përmes kësaj skeme, ndërmarrjet prodhuese mund të përfitojnë deri në 25 mijë euro për investime në:
– Sisteme solare për prodhim të energjisë elektrike,
– Sisteme solare për ngrohje të ujit,
– Bateri për ruajtjen e energjisë elektrike,
– Izolim të ndërtesave, si dhe
– Pajisje që ulin konsumin e energjisë elektrike në linjat e prodhimit.
Mirënjohje për Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për partneritetin e shkëlqyeshëm dhe përkrahjen e çmueshme, si dhe Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, KIESA, për punën e shkëlqyeshme e zhvillimin e kësaj skeme, rezultatet e së cilave do t’i gëzojë sektori i prodhimit në vendin tonë.


