Home » MOLLA SI LAJTMOTIV POETIK NË LIRIKËN E BEQIR MUSLIUT

MOLLA SI LAJTMOTIV POETIK NË LIRIKËN E BEQIR MUSLIUT

nga World Ks

Beqir Musliu, “ORFEIANA”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2004. ISBN 9951-06-076-5

“Motivi i Mollës”, në Librin ORFEIANA, të Beqir Musliut, e përfshirë në “Librin e Dytë të Orfeianës”, është ndarë në Dy Cikle të mëdha; LIGJËRIMI I PARË PARA MOLLËS dhe LIGJËRIMI I DYTË PARA MOLLËS.

Në “Ligjërimin e Parë para Molles”, janë përfshirë poezitë: “Cikli: SKASA (I)”; 1. (Para meje e thikës); 2. (Në këtë tryezë); 3. (Në kuptimin e zi); 4. (U ringjall një legjion); 5. (Tri anët e Botës); 6. (Kundruall tryezës); 7. (Kopshti i artë); 8. (Në pjatë na shikon); 9. (Vesh lëkurën time), dhe 10. (Një kënd purpuror). Ndërsa në “Ciklin: SKASA (II)”, janë përfshirë këto poezi: “IMAZHI-FARA”; Fillimi i Imazhit; Imazhi, 1.; Imazhi, 2.; Imazhi, 3.; Imazhi, 4.; Imazhi, 5.; Imazhi, 6.; Imazhi, 7.; dhe është përmbyllur me poezinë “Vazhdimi i Imazhit”. “Si ta shndërroj këtë urtësi në mollë/ E Ta marrë me vete deri sa e shikoj/…/ Prapë ia zbuloj anën e zjarrtë të botës/ Si ta shndërroj këtë urtësi në mollë”, (“ORFEIANA”, faqe 89). Ligjërimi i Dytë para Mollës, përbëhet nga poezitë: SKASA (1). 1. (Peizazhi i mollës); 2. (Fara e mollës); 3. (Gjethet e zemrës); 4. (Vera e butësisë); 5. (Darka e fshehtë); 6. (Zanafilla e mollës); 7. (Vetulla qiellore); 8. (Kopshti i fshehtë); 9. (Rrënja e farës); 10. (Arka e Mollës); dhe 11. (Ligjërimi i heshtur).

PARA MEJE E THIKËS

Qëndronte e menduar para meje mollë

Në pjatë para meje e thikës vizëlluese

I dolën duart nga lëvorja e verdhmtë

Që ta mbrojnë në raste të sulmit të zi

Dhe u kthyen o në një mburojë antike

Qëndronte e menduar para meje mollë

Para thikës vizëlluese e meje në pjatë

I dolën këmbët nga të prerat e thikës

Që të ikën nga pjata e uritur atëbotë

E pritën ngrykë duart dhe ajo mburojë

Para meje qëndronte e pikëlluar Mollë

E pambrojtur para meje e thikës Mollë

Faqe 89-90.

Ky ligjërim kaq i thelluar rreth fatit të mollës, nuk ndeshet gjëkundi. Veçmas kundërshtimi dhe rezistimi i Mollës, shpreh trishtimin e saj para thikës dhe njeriut dhe të një pjate ku qëndron molla. Ky rrafsh meditativ kundrohet nga tri pamje, secila më e frikshme dhe po aq e trishtët se tjetra: 1. Molla qëndron “Në pjatë para meje e thikës vizëlluese”, 2. Molla mbrohet, “Para thikës vizëlluese e meje në pjatë”, 3. Molla e humb betejen: “E pambrojtur para meje e thikës Mollë”. Prandaj, ligjerimi poetik i Beqir Musliut, në Motivin për Mollën, është simbolika e urtësisë dhe e pafuqisë të të urtit i cili vetëm mund të lemeritet, të lebetisë e të trishtohet para Thikës, Pjatës dhe Njeriut!…

* Fragment nga studimi: “BUKURIA TRONDITËSE në lirikën e Beqir Musliut”.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment