Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.
Për certifikimin e kësaj partie që kontrollohet nga Beogradi zyrtar kanë votuar vetëm dy anëtarë të KQZ-së. Dy anëtarë kanë votuar kundër certifikimit, kurse shtatë të tjerë kanë abstenuar nga votimi.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, kundërshtuan certifikimin e Listës Serbe. Ata kanë publikuar dokumente që tregonin se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë të komunave apo për asamblistë, mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë.
Kemi një parti politike që ka trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj, ka elementë të tjerë, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme.
Tani i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale. Në mesin e tyre ka edhe persona që në të vërtetë, në mënyrë subersive punojnë kundër Republikës së Kosovës.
Ata mbajnë pozita në organet e ashtuquajtura paralele të Serbisë. Dhe njëkohësisht mbajnë pozicione cilado qofshin ato në organet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurteshi.
Ai e ka marrë shembull kandidatin e Listës Serbe për kryetar të Novobërdës, Sasha Millosheviq, i cili është edhe kryetar i komunës paralele të Gjilanit, i emëruar nga Qeveria e Serbisë.
Kurteshi e ka cilësuar Millosheviqin si “kamxhiku i Radoiçiqit për Anamoravë”.
Ai ka theksuar se këta persona kanë objektiv minimin e Republikës dhe shkatërrimin e sovranitetit të Kosovës.
Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, ka thënë se KQZ-së duhet t’i ofrohen të gjitha informatat e nevojshme përmes organeve të sigurisë. Ai ka bërë të ditur se PDK-ja ka vendosur të abstenojë në votim.
Sa herë vjen koha e zgjedhjeve kjo përsëritet. Këto informata kisha pasur dëshirë t’i pranojmë në mënyrë institucionale dhe jo t’i shohim tash. Sidoqoftëm si përfaqësues i PDK-së, abstenoj nga votimi për certifikimin e Listës Serbe, duke i marrë parasysh këta kandidatë, por edhe të gjitha këto diskutime. S’jemi për certifikim, por abstenojmë nga votimi derisa nuk ka veprime konkrete nga institucionet tjera të sigurisë që na tregojnë rrugën që duhet të ndiqet për këtë subjekt politik”, ka thënë ai.
Edhe Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se është për keqardhje që dokumentet për kandidatët e Listës Serbe nuk janë ofruar nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë.
“E kemi zyrën e partive politike. Sekretariati vjen me informacione dhe thotë që, në bazë të informacioneve të institucioneve kompetente që merren me këto punë, kjo parti i plotëson kriteret formale për t’u certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Unë kam përshtypjen që tani ne nuk kemi hapësirë të marrim vendim si të veprojmë – as për ,as kundër, pos ta refuzojmë votimin ose të abstenojmë”, ka thënë ai para votimit.
Ndërkaq anëtari tjetër i Vëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Alban Krasniqi, së paku 24 kandidatë të Listës Serbe kanë të kaluar kriminale apo janë persona në kërkim, ndërsa pothuajse të gjithë të tjerët janë pjesë të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë. Sipas tij, Zyra për Regjistrimin e Partive i ka këto informata.
“Këto janë informacione që, jam shumë i bindur, zyra i posedon dhe tani shtrohet një pyetje shumë e thjeshtë: a duhet lejuar ne, si KQZ,… t’i certifikonim këta kandidatë nëse janë pjesë e strukturave paralele e disa prej tyre edhe të organizatave që nga organet shtetërore janë shpallur terroriste”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë gjithashtu se Lista Serbe “vazhdimisht ka deformuar rezultatin e zgjedhjeve”.
Ndërkaq Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhje, ajo duhet të shpallet organizatë terroriste nga organet e shtetit.
Pas diskutimeve, Kryesuesi e ka hedhur në votim çështjen e certifikimit të Listës Serbe. Për dhe kundër certifikimin kanë votuar nga dy anëtarë të KQZ-së, kurse shtatë të tjerë kanë abstenuar nga votimi.
Në prag të mbledhjes së KQZ-së, ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë , Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet që disa parti politike serbe të mos certifikohen për zgjedhjet lokale të tetorit.
Që të jemi të qartë, ne besojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësinë e plotë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre të zgjedhur. Jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi”, theksoi Prattipati.
“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.