Home » Kur ndjeshmëria nuk është dhuratë e fëmijërisë, por e drejtë e mohuar…

Kur ndjeshmëria nuk është dhuratë e fëmijërisë, por e drejtë e mohuar…

nga World Ks

Shkruan : Alma Lamçja

Kur ndjeshmëria nuk është dhuratë e fëmijërisë, por e drejtë e mohuar…

Jo të gjithë rritemi në familje ku ndjenjat emërtohen, e sigurisht shumica nuk kanë fatin të mësojë nga dikush si të kuptojë veten, si t’i shprehë ndjesitë: frikën, turpin, gëzimin, dhimbjen, apo emocionin.

Në kulturën shqiptare, shpesh është më normale të dëgjosh britmat sesa fjalët e buta, të ndjesh urdhrin sesa përqafimin, të përvallesh me shpërfilljen sesa me pranimin.

Është normale të rritesh midis urdhrave dhe kritikave, jo përmes bisedave të qeta që ushqejnë vetëbesimin dhe të ndihmojnë të kuptosh veten dhe atë që dëshiron.

Për shumëkënd ndjeshmëria nuk është dhuratë e fëmijërisë, por luks i munguar, plagë e trashëguar, ku rruga për të kuptuar veten bëhet përpjekje e përditshme.

Të mësosh të emërtosh ndjesinë, të mos e ndëshkosh veten për çdo reagim, për çdo ndjesi të përjetuar, është udhëtim i gjatë, në të cilin shpeshherë ndjehesh i vetmuar.

Disa njerëz nuk e nisin jetën me një orientim të qartë emocional. Ata nuk mësojnë si të përballen me dështimin, si të flasin për frikërat e tyre, por mësohen të heshtin duke zgjedhur të durojnë. Mësohen të shtypin çdo dridhërimë të brendshme, si të ishte turp, jo thirrje për ndihmë.

Në të tilla rrethana, inteligjenca emocionale nuk është aftësi që zhvillohet natyrshëm, por është mal që duhet ngjitur, duke u kthyer në plagë që kërkojnë të shërohen. Ajo është gjuhë që duhet mësuar nga e para, por tashmë pa ndihmën e përkthyesit të fëmijërisë.

Të shohësh veten dhe të mos ikësh prej asaj që sheh, të mësosh të mos e përsërisësh dhimbjen që ke trashëguar, të krijosh hapësirë për ndjeshmëri, aty ku dikur ka qenë vetëm frikë, është sfidë tepër e madhe.

Në këndvështrimin analitik, nuk ka teori që e shpjegon sa e vështirë është kjo, as ka formulë që e zbut barrën e rëndë që mbajnë mbi supe ata që s’kanë pasur një model të shëndetshëm emocional.

Prandaj, përveç dijes dhe trajtimit të çështjes, duhet ndjeshmëri për të kuptuar. Ndjeshmëri për të gjithë ata që janë mësuar të mbijetojnë, pa pasur mundësinë që të lulëzojnë nga brenda.

Ndjeshmëri, për të gjithë ata që tashmë kanë filluar të mos mbyllin grushtin kur ndiejnë dhimbje, por të hapin dorën dhe të kërkojnë afërsi.

Ndjeshmëria nuk është dobësi, por është akt trimërie.

Në këtë realitet të vrazhdë, kur sipërfaqësorja është trend i momentit që i sheh ndjenjat si ngarkesë, ata që guxojnë të përballen me to janë më të fortët ndër ne. Ata që s’kanë pasur luksin të ndihen të sigurt me veten, por që sot punojnë pa u ndalur për t’u bërë prindër më të mirë, partnerë më të pranishëm, njerëz më të dashur, meritojnë duartrokitje dhe lartësim.

Pra, inteligjenca emocionale është fuqi, edhe pse për disa, është fuqi që buron nga plagët.

Ndoshta, janë pikërisht këta njerëz që e kuptojnë më thellë se çdokush tjetër sa e shenjtë është ndjeshmëria. Sepse kur s’e ke pasur kurrë, e mbron si diçka të shenjtë, e kultivon me kujdes dhe arrin ta falësh si dhuratë.

P.s. Kushtuar Denit, vajzës së guximshme që më bëri të reflektoj gjatë për këtë çështje.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment