Mirëprita sot kongresistin republikan Mike Turner dhe kongresistin demokrat Donald Norcross. Të dy janë anëtarë të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve (House Armed Services Committee) dhe të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Diskutuam për raportet ndërmjet vendeve tona mike dhe bashkëpunimin tonë bilateral, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kosova e ka katërfishuar buxhetin e mbrojtjes gjatë këtij mandati qeverisës, duke rritur kështu kapacitetet tona mbrojtëse dhe duke i avancuar ato me sisteme të reja; ndër to edhe prodhime dhe sisteme amerikane. Ndërkohë që në katër vitet e fundit mbi 1000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në trajnime në programe ushtarake të ShBA-së, përfshirë edukimin ushtarak në West Point dhe U.S. Army War College.
Jemi gjithmonë mirënjohës për kontributin historik, rolin aktiv dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shtetit të Kosovës.
