Ata sot bëhen bartës të dijes dhe përgjegjësisë, sepse diplomimi nuk është vetëm sukses personal, ai është edhe premtim ndaj shoqërisë. Nga nesër do të jenë mësimdhënësit që formojnë gjeneratat, juristët që mbrojnë ligjin, ekonomistët që zhvillojnë prodhimin e tregun, shkencëtarët që sjellin inovacione dhe qytetarë që ndërtojnë një shoqëri më të drejtë, më të zhvilluar e më demokratike.
Fjala ime e plotë në ceremoninë e diplomimit:
I nderuar Rektor i Universitetit “Kadri Zeka”, profesor Artan Dermaku,
E nderuara znj.Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuar z.Alban Hyseni, Kryetar i Komunës së Gjilanit,
Të nderuar prorektorë, profesorë,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Arjeta Rexhepi, Arjeta Fejza dhe Labinotë Murtezi,
Të dashur studentë të diplomuar, prindër dhe familjarë,
Miq e qytetarë të Gjilanit,
Është kënaqësi dhe nder të jem në mesin tuaj në këtë ditë solemne e të paharrueshme për të gjithë ju; në ditën e diplomimit, ditën që shënon kurorëzimin e angazhimit dhe përkushtimit tuaj gjatë këtyre viteve të studimit.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” që nga dita e themelimit është bërë vatër e dijes për mijëra të rinj e të reja, jo vetëm nga Gjilani e Anamorava, por edhe nga Lugina e Preshevës e deri në Kumanovë. Ky institucion vazhdon traditën universitare të këtij qyteti që prej vitit 1958, duke përgatitur gjenerata mësimdhënësish, studiuesish dhe profesionistësh të fushave të ndryshme, që kanë lënë gjurmë e vazhdojnë të kontribuojnë për vendin tonë.
Sot, Universiteti “Kadri Zeka” është një institucion i konsoliduar, me gjashtë fakultete e pesëmbëdhjetë programe studimi, tetë në nivelin Bachelor dhe shtatë sosh në nivelin Master. Riakreditimi pesëvjeçar i vitit të kaluar, dëshmon standardet e tij të larta akademike, përkushtimin e stafit dhe rolin e këtij universiteti si qendër e dijes dhe inovacionit në rajon.
Arsimi është e drejtë e pakushtëzuar, andaj edhe ne si Qeveri e Republikës kemi qenë krah jush në rrugëtimin tuaj akademik. Kemi bërë arsimin e lartë publik falas që nga viti i parë i mandatit tonë, e Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit vetëm në dy vitet e fundit ka ndarë mbi 1200 bursa për studentët e Universitetit të Gjilanit, me ç’rast edhe kemi rritur buxhetin për kërkime shkencore, si dhe kemi mbështetur avancimin e performancës në arsimin e lartë në shumë dimensione. Po investojmë në programe që lidhen ngushtë me tregun e punës, inovacionin dhe teknologjinë. Sepse, duam që studentët tanë të mos jenë vetëm të diplomuar, por edhe të punësuar, të mos jenë vetëm të punësuar, por edhe të suksesshëm dhe të mos jenë vetëm të suksesshëm, por edhe kontribuues në zhvillimin e vendit. Dhe ja ku jemi sot, në ditën që shënon përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të jetës për 150 studentët e diplomuar dhe hap një dritare të re drejt së ardhmes së tyre dhe tonë në përgjithësi.
E nesërmja sigurisht që nuk do të jetë pa sfida, por edhe me mundësi të shumta dhe unë nuk kam dyshime se ju, të diplomuarit e sotëm, jeni më të përgatitur se kurrë për t’i përballur ato sfida dhe për ta ngritur në nivele të reja zhvillimin e shtetit tonë.
Teksa gëzohemi bashkë për sukseset tuaja, vlerësojmë edhe punën e profesorëve e stafit akademik që ju kanë udhëhequr me përkushtim në këtë rrugëtim, ashtu si dhe mbështetjen e pakusht të prindërve dhe të familjeve tuaja.
Të dashur të diplomuar,
Ju sot bëheni bartës të dijes dhe përgjegjësisë. Diplomimi nuk është vetëm sukses personal, ai është edhe premtim ndaj shoqërisë. Ju jeni të thirrur të bëheni mësimdhënës që formojnë gjenerata, juristë që mbrojnë ligjin, ekonomistë që zhvillojnë prodhimin e tregun, shkencëtarë që sjellin inovacione dhe qytetarë që ndërtojnë një shoqëri më të drejtë, më të zhvilluar e më demokratike.
Sot festojmë jo vetëm diplomimin e 150 studentëve, por edhe fuqinë e dijes dhe të aftësive për të ndryshuar jetë e për të ndërtuar Kosovën tonë të dashur në nivele të reja të progresit.
Diploma është vetëm një fillim. Vlera e saj qëndron tek ajo që do të bëni më pas, pra përdorimi është kuptimi, te ndikimi që do të keni te komunitetet tuaja, në fushëveprimtarinë tuaj dhe gjurma që do të lini në vendin tonë për popullin tonë.
Mos u ndalni asnjëherë duke lexuar e studiuar, mos e ndalni asnjëherë kureshtjen për dije dhe pasionin për studim. Diploma, të cilën e merrni sot është veçse përmbyllja e një kapitulli e kurrsesi fundi i një libri, që është vetë jeta. E me këtë porosi të mbramë, unë ju uroj të gjithë juve, por edhe familjeve tuaja, gjithashtu edhe profesorëve, që janë këtu me ne dhe atyre që nuk janë këtu me ne, por ishin me juve në këtë rrugëtim të rëndësishëm; duke thënë që le të jetë ky fillim i një udhe të gjatë me suksese, krenari dhe shpresë për secilën e secilin prej jush e për të ardhmen e vendit tonë!
Ju falemnderit për këtë ftesë, për vëmendjen dhe suksese në çdo hap të jetës suaj!



