Në Paris, para fillimit të Forumit të Paqes dhe takimeve atje, dje gjatë pasdites mora pjesë në diskutimin e organizuar nga instituti i mirënjohur francez Jacques Delors.
Tema kryesore e diskutimit ishte situata gjeopolitike në Evropë dhe ndikimi i Ballkanit Perëndimor, por folëm edhe për mbrojtjen, të drejtat e njeriut, përfshirë ato të pakicave, si dhe zhvillimet e fundit në vend.
Në tryezë dhe pjesë e diskutimit ishte edhe i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz.
Ndërkaq, në mbrëmje, në darkën e shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ndër të tjera theksova rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe shoqërive tona, bashkëdyzimin e vlerave evropiane dhe interesave shtetërore, dhe se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në interesin ekonomik dhe të sigurisë të vetë Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij.
